Hamendësimi është kur vret mendjen për diçka. Domethënë kur atij i kanë vjedhur ndonjë plaçkë, ai fillon të vrasë mendjen me hamendësime: “Mendoj se ka qenë filani… Jo, ka qenë filani... Po, e kam parë atë filanin tek ai vendi…” Pastaj futet në akuza, përgojime, sharje, thashetheme dhe gjynahe të mëdha, derisa gjynahu i tij bëhet më i madh sesa gjynahu i vet hajdutit. Të njëjtën gjë mund ta thuash edhe për gabimet dhe shkeljet e tjera. Për shembull, kur dikë e hanë me sy dhe për pasojë dëmtohet në trupin e tij ose në ndonjë pronë të tij, atëherë ai fillon me këto hamendësime dhe akuzime: “Më ka ngrënë filani! Jo, më ka ngrënë filani… Unë e di që filani të ha me sy!” Kështu ai futet në nderet e vëllezërve të tij duke i akuzuar me akuza të pabaza dhe pretendime të kota që s’kanë asnjë fakt. Ai futet në nderet e tyre duke i përgojuar, duke u marrë me thashetheme, duke e lëshuar gjuhën dhe duke i lënduar tej mase. Kështu që, gjendja e tij bëhet më e rëndë sesa gjendja e atij që e pati hased apo që e hëngri me sy.