89

Ndezësit e fitneve

Transmetohet nga Alij bin Ebi Talibi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “Mos jini të ngutur, përhapës të çdo lajmi dhe përhapës të sekreteve, sepse pas jush ka fatkeqësi mizore e të ngrysura dhe ka fitne afatgjata dhe të rënda.” [El-Edeb el-Mufred, i Bukhariut, 327]
Komenti i Shejkh AbduRrezzak el-Bedër:

Aliju, radijAllahu anhu, paralajmëroi kundër tre gjërave në të cilat bien shumë njerëz gjatë fitneve, të cilat i ndezin fitnet duke kontribuar që ato të shtohen dhe të ketë përplasje.

1) Mos-kontrollimi i emocioneve, pamaturia, ngutja dhe mos-peshimi i pasojave. Ngutja nuk sjell ndonjë të mirë. Ai që është i ngutshëm në çështjet e tij dhe emocional në sjelljet e tij, nuk shpëton dot nga gabimet dhe devijimet.

2) Përhapja e fjalëve pa u vërtetuar dhe pa pasur largpamësi; ngutja për t’i përhapur ato sapo të dëgjohen pa i vërtetuar fillimisht. Kështu, i lajmëron njerëzit me këto lajme dhe i përhap ato. Ndoshta janë lajme që s’janë fare të sakta. E nëse do të ishin të sakta, është obligim që të shqyrtohen gjerë e gjatë si çështje përpara se të përhapen, se a ka dobi në përhapjen e këtij lajmi në mënyrë që njeriu të marrë përsipër përhapjen e tij, apo nuk ka dobi dhe të mos vazhdojë me të.

3) Ndezja e zjarrit të fitneve dhe mbjellja e farave të sherrit duke u marrë me mbartje të llafeve, duke i prishur njerëzit me njëri-tjetrin dhe duke i bërë shkaqet e përçarjes, luftës dhe armiqësisë midis Muslimanëve.