80
Lutja për përmirësimin e udhëheqësit Musliman
Transmetohet nga Abdu-Samed bin Jezud el-Bagdadij se ka thënë: e kam dëgjuar el-Fudajl bin Ijad duke thënë: “Sikur të kisha vetëm një lutje që do të më pranohej, do ta kisha bërë atë për udhëheqësin Musliman.” E pyetën: “Si kështu o babai i Alijut?” Ai tha: “Kur të bëj lutjen vetëm për veten time, do të më bëjë dobi vetëm mua, e kur ta bëj lutjen për udhëheqësin, me përmirësimin e udhëheqësit do të përmirësohen edhe njerëzit edhe vendi.” I thanë: “E si kështu, na e shpjego këtë o babai i Alijut?” Ai tha: “Përmirësimi i vendit bëhet atëherë kur njerëzit janë të sigurt se udhëheqësi nuk bën padrejtësi dhe kështu ata ndërtojnë atë që është rrënuar dhe do të dalin jashtë që të punojnë tokat. Kurse përmirësimi i njerëzve është se kur udhëheqësi do të shikojë se ka njerëz të paditur, do t’u thotë “Ju jeni dhënë vetëm pas sigurimit të jetesës, ndërkaq e keni braktisur atë që ju bën dobi, siç është mësimi i Kuranit dhe gjërat tjera.” Kështu, udhëheqësi i mbledh nga pesëdhjetë njerëz, më pak apo më shumë se kaq, dhe i thotë mësuesit të këtyre “Përdor metodën më të përshtatshme që dëshiron, por mësojua këtyre çështjet e fesë dhe shiko se cilin Allahu, i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar, do ta nxjerrë nga mesi i këtyre që do të jetë i dobishëm në tokë për njerëzit dhe atë dërgoje te njerëzit.” Kështu, përmirësohen njerëzit dhe vendi. Ibën Mubareku e puthi atë në ballë dhe i tha: “O mësuesi i të mirës, këtë nuk e di askush tjetër përveç teje.” [Hiljetul-Eulija, i Ebu Nuajmit, 8/9]
Komenti i Shejkh AbduRrezzak el-Bedër: Ah, sikur ta kishim ne këtë mirësi të madhe dhe t’i këshillonim udhëheqësit tanë duke bërë lutje për ta me zell, sinqeritet dhe këmbëngulje, sepse me përmirësimin e tyre, përmirësohen njerëzit dhe vendi!