Këto fjalë, siç ka thënë Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, janë fjalë xhevahir. Këto janë fjalët më të mira, më mbresëlënëse dhe më të plota. Kështu që, ai që shpreson fitore dhe furnizim nga dikush tjetër veç Allahut, atë Allahu e braktis. Shpresa përdoret për të mirën, ndërsa frika përdoret për të keqen; robin e zë e keqja vetëm për shkak të gjynaheve të tij dhe këto dy cilësi nuk bashkohen diku tjetër veçse te një rob të cilit i është dhënë sukses për të arritur atë që shpreson dhe është siguruar nga ajo që frikësohet.
Tirmidhiu transmeton nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “I Dërguari i Allahut hyri te një djalosh i cili ishte duke përjetuar agonitë e vdekjes dhe i tha: “Si e ndjen veten? Ai tha: “Pasha Allahun, o i Dërguari i Allahut, unë shpresoj nga Allahu se do të më falë dhe frikësohem për gjynahet e mia.” Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Nuk bashkohen këto dy gjëra në zemrën e një robi siç është tani kjo gjendje, vetëm se Allahu do t’i japë atij atë që shpreson dhe do ta ruajë atë nga ajo që ai frikësohet.”