Në lidhje me këtë temë, le të marrim mësim nga gjendja e Sahabëve, radijAllahu anhum, të cilët janë njerëzit më të mirë të umetit.
Ka thënë Ibnul Kajjim, Allahu e mëshiroftë:
"Kush mediton rreth gjendjes së Sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta, do të shohë se ata ishin në kulmin e veprave dhe kulmin e frikës. Ndërsa të gjithë ne jemi të mangët në bërjen e punëve të mira, madje jemi midis shkujdesjes dhe sigurisë për veten tonë. Siddiku (Ebu Bekri), radijAllahu anhu, thoshte: "Do të doja të isha një qime pranë një robi besimtar!" Këtë fjalë e ka transmetuar Imam Ahmed prej tij. Gjithashtu ka transmetuar se ai e kapte gjuhën e tij dhe thoshte: "Kjo është ajo që më ka sjellë shkatërrime!" Ai qante shumë dhe thoshte: “Qani! E nëse nuk qani dot, bëni sikur qani!”
Kur ai falej, rrinte i ngrirë si një copë druri prej frikës që kishte nga Allahu, i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar. Njëherë atij i sollën një zog dhe ai e pranoi atë, më pas tha: “Çdo gjah që është gjuajtur dhe çdo pemë që është prerë, është për shkak të tesbihut (madhërimit të Allahut) që e kanë lënë.”
Kur ai ishte në agoni të vdekjes, i tha Aishes: “O bija ime, nga pasuria e Muslimanëve kam këtë pelerinë, këtë enë për mjeljen e qumështit dhe këtë rob, prandaj nxito e çoja shpejt këto Ibnul Khattabit." Gjithashtu ka thënë: "Pasha Allahun, do të doja të isha pemë që hahet dhe krasitet..." Ed-Dau ued-Deua, 93