58

Realiteti i devotshmërisë

Transmetohet nga Bekër bin Abdullah, Allahu e mëshiroftë, se ka thënë: “Kur ndodhi fitneja e Ibën el-Eshath, Talku tha: “Mbrohuni prej kësaj fitneje me devotshmëri (et-takua)!” Bekri i tha: “Na e përmblidh shkurtimisht se çfarë është devotshmëria?” Ai tha: “Devotshmëria është vepër me të cilën i bindesh Allahut duke u bazuar në dritë (argument) nga Allahu dhe shpreson në shpërblimin e Allahut dhe devotshmëria është të heqësh dorë nga mosbindja ndaj Allahut, duke u bazuar në dritë nga Allahu dhe duke pasur frikë nga ndëshkimi i Allahut.” [Ez-Zuhd i ibën Mubarekut, 1343]
Komenti i Shejkh AbduRrezzak el-Bedër:

Ky është shpjegimi më i bukur që është bërë për përkufizimin e devotshmërisë dhe sqarimi më i mirë për realitetin e devotshmërisë. Ai, Allahu e mëshiroftë, i ka bashkuar dy gjëra: fillimin dhe pikësynimin e devotshmërisë. Sepse çdo vepër me të cilën kërkohet afrim tek Allahu, i Madhëruar dhe i Lartësuar, duhet patjetër të ketë një fillim dhe një pikësynim. Fillimi i devotshmërisë është baza në të cilën mbështetet, e ai është imani dhe argument për këtë është fjala e tij, Allahu e mëshiroftë, ku thotë “duke u bazuar në dritë nga Allahu." Kurse pikësynimi i devotshmërisë është: arritja e shpërblimit të Allahut, fitimi i kënaqësisë së Tij, të Pastrit nga çdo mangësi dhe të Lartësuarit, dhe shpëtimi nga ndëshkimi i Tij; argument për këtë është fjala e tij, Allahu e mëshiroftë “shpreson në shpërblimin e Allahut” dhe fjala tjetër e tij “duke pasur frikë nga ndëshkimi i Allahut."