57
Fitneja duhet të shuhet e jo të ndizet
Transmetohet nga Abdullah Ibën Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të dhe babain e tij, se erdhën tek ai dy burra për ta pyetur për fitnen e Ibën -Zubejrit dhe i thanë: “Njerëzit kanë bërë këtë e këtë, kursi ti djali i Umerit, shoku i Pejgamberit, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, çfarë të ndalon të marrësh pjesë në kryengritje?” Ai tha: “Ajo që më ndalon është se Allahu e ka ndaluar ta derdh gjakun e vëllait tim.” Ata i thanë: “A nuk thotë Allahu “...dhe luftoni ata derisa të mos ketë fitne...” (el-Enfal, 39) Ai tha: “Ne luftuam që mos të ketë fitne (kufër) dhe e gjithë feja (adhurimi) ishte vetëm për Allahun. Kurse ju dëshironi që të luftoni derisa të ketë fitne dhe të jetë feja (adhurimi) për dikë tjetër.” [Transmeton Bukhariu, 4513]
Komenti i Shejkh AbduRrezzak el-Bedër: SubhanAllah (I Pastër është Allahu nga çdo mangësi]! Sa dallim të madh ka midis luftës së atij që feja të jetë vetëm për Allahun dhe luftës së atij që të ndodhin fitne midis Muslimanëve, të kapen armët dhe të vrasin njëri-tjetrin, si rrjedhojë, të dobësohet autoriteti i tyre, të ligështohet fuqia e tyre dhe t’u hidhet në qafë armiku i tyre, kështu feja do të jetë për dikë tjetër e jo për Allahun. Allahu na ruajttë neve dhe Muslimanët nga fitnet, sepse ato janë të verbra, të shurdhra dhe memece.