Përderisa zbritja e një shkalle në hadith është prej shkaqeve të vdekjes së dijes, atëherë çfarë dije kanë ata që nënçmojnë dijetarët e mëdhenj dhe i shajnë ata.
* Shënim i përkthyesit: Kjo çështje ka të bëjë me zinxhirin e lartë dhe të ulët që studion shkenca e terminologjisë së hadithit.
- Hadith i lartë është ai që ka sa më pak numër të transmetuesve të cilët e përcjellin hadithin nga Pejgamberi ﷺ dhe në të njëjtën kohë nuk ka dobësi në zinxhirin e tij.
- Hadith i ulët është ai që ka më shumë transmetues në zinxhirin e tij të cilët e përcjellin hadithin nga Pejgamberi ﷺ .
Për shembull: Një nxënës mëson nga një mësues që është në vendin e tij dhe nga ky nxënës transmeton hadithe që ai mësues i ka mësuar nga mësuesit e tij. Disa nga këta mësues të këtij mësuesi janë ende të gjallë dhe ky nxënës ka mundësi që të udhëtojë dhe t’i takojë vetë ata mësues dhe ta dëgjojë drejtpërsëdrejti hadithin nga ata. Andaj, dijetarët kanë nxitur që të kërkohet zinxhiri i lartë në transmetim dhe që nxënësi të udhëtojë për kërkimin e dijes dhe të mos mjaftohet vetëm me mësuesit e vendit të tij.
Për shembull: Imam Ahmedi ka mësuar hadithe drejtpërsëdrejti nga mësuesit e tij në Irak të cilët i kanë mësuar hadithet direkt nga Sufjan ibën Ujejneh, kurse Sufjani ishte i gjallë dhe banonte në Mekke. Kështu Imam Ahmedi nuk është mjaftuar që ta dëgjojë hadithi vetëm nga mësuesit e tij në Irak që e kanë dëgjuar dhe mësuar hadithin nga Sufjani, porse Imam Ahmedi ka udhëtuar për në Mekke që ta dëgjojë drejtpërsëdrejti nga Sufjani. Kështu transmetimi i Imam Ahmedit është zinxhir i lartë.
Nëse Imam Ahmedi do të transmetohet nga mësuesi i tij Ebu Nuajm el-Fadël bin Dekkin, i cili transmeton nga Sufjan bin Ujejneh, nga Amër bin Dinar, nga Ibën Umeri, nga Pejgamberi ﷺ i bie që të këtë katër transmetues midis Imam Ahmedit dhe Pejgamberit ﷺ . Por nëse Imam Ahmedi udhëton për në Mekke dhe e dëgjon hadithin nga Sufjani dhe e mëson atë, atëherë midis tij dhe Pejgamberit ﷺ ka tre transmetues. Kështu ky zinxhir transmetimi është më i lartë se tjetri.