42

Morali është dhuratë

Transmetohet nga Abdullah bin Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “Allahu e ka ndarë moralin midis jush, ashtu siç e ka ndarë furnizimin midis jush.” [El-Edeb el-Mufred i Bukhariut, 275]
Komenti i Shejkh AbduRrezzak el-Bedër:

Morali është dhuratë nga Allahu, hise që e ndan Ai dhe mirësi. Ai që e jep furnizimin, është Ai që e jep edhe moralin.

Ibën el-Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij El-Furusijeh (fq. 499) ka thënë: “Morali është dhuratë të cilën Allahu ia dhuron kujt të dojë dhe aq sa të dojë.” Për këtë arsye, për fitimin e furnizimit kërkohen dy gjëra të domosdoshme:

E para: Kthimi tek Allahu dhe mbështetja tek Ai.

E dyta: Përpjekja për të kërkuar furnizimin përmes rrugëve të lejuara në Sheriat.

E njëjta gjë është edhe me moralin: kërkohet kthimi tek Allahu duke iu lutur Atij për bekim me moral të vyer dhe edukatë fisnike, bashkë me përpjekjen për të bërë luftë me vetveten në realizimin e këtij morali.” Vetëm prej Allahut, të Vetmit, vjen suksesi.