Lutja është themeli i mirësive, çelësi i vlerave dhe virtyteve, ngase të gjitha gjërat janë në Dorë të Allahut, qoftë ajo çështje që Allahu e jep apo privon, që e ulë apo ngre, që e bën të triumfojë apo të humbë. Atij që Allahu i ka dhënë sukses të bëjë lutje, ai ka arritur çelësin e mirësisë.
Imam Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij El-Feuaid (fq. 127-128), ka thënë: “Themeli i çdo mirësie është që ta mësosh se atë që ka dashur Allahu që të ndodhë - ka ndodhur, dhe çfarë nuk ka dashur Allahu që të ndodhë – nuk ka ndodhur. Atëherë, njeriu bindet thellësisht se të gjitha të mirat janë begati nga Allahu, kështu ai e falënderon Allahun për këto të mira dhe i lutet Atij me përgjërim që mos t’i largojë mirësitë. Nga ana tjetër, të këqijat që të ndodhin, janë për shkak se Ai të ka braktisur ty dhe të ka ndëshkuar. Andaj, lutju Atij që të të ruajë nga të këqijat dhe që mos të të lërë që t’i mbështetesh vetes tënde në bërjen e veprave të mira apo për lënien e veprave këqija. Njerëzit e ditur kanë rënë në pajtim se çdo e mirë bazën e ka te suksesi që Allahu i jep robit dhe çdo e keqe bazën e ka te braktisja që Allahu i bën robit. Gjithashtu, ata janë të pajtimit se suksesi është që Allahu mos të të lë që ti të mbështetesh në veten tënde, ndërsa braktisja është që të të lë t’i mbështetesh vetes tënde. Përderisa çdo mirësi bazohet te suksesi i cili është në Dorën e Allahut e jo në dorën e robit, atëherë çelësi i këtij suksesi janë: lutja, kërkimi i nevojës, mbështetja e sinqertë, dëshira për atë që është tek Ai dhe frika nga Ai. Kur robit i jepet ky çelës, atëherë Ai do që t’ia hap derën atij. E nëse ai e humb këtë çelës, atëherë dera e mirësisë do të qëndrojë e mbyllur para tij… Ai që është privuar nga diçka është për shkak se nuk ka falënderuar, e ka braktisur kërkimin e nevojave të tij dhe e ka braktisur lutjen; ai që ka fituar diçka – me dëshirën e Allahut dhe ndihmën e Tij – ka fituar për shkak se ka falënderuar, ka qenë i sinqertë në kërkimin e nevojave të tij dhe ka bërë lutje.”