Ky është një gjest i rëndësishëm edukativ që fëmijët të rriten duke i njohur, duke i dashur pejgamberët dhe duke u përngjasuar atyre. Kur Allahu e përmendi robin dhe Khalil-in e Tij, Ibrahimin, alejhi selam, në suren el-En'am dhe pas tij përmendi 17 pejgamberë, Ai, i Pastri nga çdo mangësi, e vazhdoi këtë duke thënë:
{أُولَئِكَ الَّذِينَ هَدَى اللهُۖ فَبِهُدَاهُمُ ٱقْتَدِهْۗ}
"Ata (të dërguarit e përmendur) janë të cilët Allahu i ka udhëzuar, kështu që ndiqni udhëzimin e tyre." [el-En'am, 90]
Domethënë: ndiqe rrugën e tyre të besimit në Allahun dhe veçimit të Tij me adhurim, moralin e mirë, rrugën e drejtë, veprimet e pëlqyeshme, cilësitë e larta, dhe këta janë ata për të cilën na ka urdhëruar Allahu, që t'i kërkojmë Atij udhëzimin në rrugën e tyre, me fjalën e Tij:
{اهْدِنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ صِرَاطَ الَّذِينَ أَنْعَمْتَ عَلَيْهِمْ}
“Udhëzona në Rrugën e Drejtë, rrugën e atyre të cilët Ti i begatove.” [el-Fatiha, 6-7]
Ai na do dhe na urdhëron të ndjekim rrugën e këtyre dhe kjo është rruga e atyre që kthehen tek Ai. Kjo, sepse kur ata e plotësuan realitetin e besimit me dije, vepër, davet dhe xhihad, Allahu i bëri imamë të krijesave dhe i bëri krijesat t'i ndjekin ata, duke i ndjekur urdhrat e tyre dhe duke ndjekur udhëzimin e tyre. Ai i dalloi pasuesit e Pejgamberëve duke u dhënë lumturi, begati dhe udhëzim, ndërsa kundërshtarët e tyre me mjerim dhe humbje.