148

Takimi me Allahun

Transmetohet nga Bekr Ibën Abdullah el-Muzeni, Allahu e mëshiroftë, se ka thënë: “Kush është si ty o biri i Ademit! Ty të ndan nga vendfalja vetëm uji i abdesit. Sa herë që dëshiron, ti takohesh me Allahun pa patur midis teje dhe Atij përkthyes.” [E ka transmetuar Imam Ahmedi në librin e tij Ez-Zuhd, nr. 1752]
Komenti i Shejkh AbduRrezzak el-Bedër:

Namazi është mëshirë që Allahu e ka dhuruar për robërit e Tij besimtarë. Ai i udhëzoi ata që ta falin namazin dhe ua bëri dhuratë atë nëpërmjet krijesës më fisnike (Pejgamberit). Namazi është dhunti prej Allahut të Përsosur nga çdo mangësi. Nëpërmjet namazit, ata arrijnë nderimin e Tij, mëshirën e Tij të bollshme dhe triumfin që të jenë pranë Tij. Ata gjejnë në namaz prehjen e tyre, kënaqësinë dhe lumturinë e shpirtrave të tyre. Sa herë që dëshiron, nëpërmjet namazit robi takohet me Allahun, i përulur, i dorëzuar, i kënaqur me bashkëbisedimin me Të. Kudo që të jetë, toka është bërë për të xhami dhe pastrim për të falur namazin.