145

Rrugëtimi i zemrave për tek Allahu

Transmeton Jahja Ibn Muadh, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë: “Destinacionet e dunjasë arrihen nëpërmjet ecjes në këmbë, ndërsa destinacionet e ahiretit arrihen nëpërmjet zemrave." [Hiljetul-eulija, 4/279]
Komenti i Shejkh AbduRrezzak el-Bedër:

Ka thënë Shejkhul Islam Ibn Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë: "Këtu është për qëllim rruga që zgjedh njeriu me mendjen e tij për të arritur synimet e tij. Pasi që zgjedhja e rrugës të jetë e qartë, atëherë sa më shumë që njeriut i shtohet dashuria në zemër për Allahun, aq më shumë do t’i shtohet nënshtrimi ndaj Allahut. Sa më shumë që i shtohet nënshtrimi ndaj Tij, aq më shumë do t’i shtohet dashuria për Allahun dhe pavarësia nga të tjerët përveç Atij. Zemra e njeriut në vetvete është nevojtare për Allahun nga këto dy anë: Nga ana e adhurimit, i cili është shkaku final dhe nga ana e kërkimit të ndihmës dhe mbështetjes, i cili është shkaku motivues. Pra, zemra e njeriut nuk përmirësohet, nuk shpëton, nuk ndjen kënaqësi, nuk gëzohet, nuk pastrohet, nuk gjen prehje, nuk qetësohet me asgjë tjetër – përveç se me adhurimin e Zotit të saj, me dashurinë e Tij dhe me kthimin tek Ai. Edhe sikur zemra të shijojë çfarëdolloj gjëje nga krijimi, prapëseprapë ajo nuk do të gjente rehati dhe prehje. Pra, zemra ka një nevojë vetjake për Zotin e saj, sepse Ai është i adhuruari i saj, i dashuri i saj dhe Atë e kërkon ajo. Kështu që, nëpërmjet kësaj nevoje ajo gjen lumturinë, gëzimin, kënaqësinë, begatinë, prehjen dhe qetësinë." [el-Fetaua el-Kubra, 5/189]