142

Shpirti është rebel

Transmetohet nga Uehb bin Munebbih, Allahu e mëshiroftë, se ka thënë: “Shpirti i njeriut është sikur shpirti i kafshëve të udhëtimit. Imani është eprori, vepra është drejtuesi që merr urdhra, kurse shpirti është rebeli. Po u dobësua eprori, drejtuesi do të ndalet, e po u dobësua drejtuesi i këtij shpirti, ka për ta humbur rrugën.” [Libri Edebu Nufus, i Ibën Ebi Dunja, 13]
Komenti i Shejkh AbduRrezzak el-Bedër:

Shpirti përngjasohet me kafshën e pabindur për shkak të ndryshimeve të shpeshta që ka dhe pamundësisë së njeriut për ta komanduar atë, përveç nëse Allahu e ndihmon atë me dije dhe vepra.

Ibën Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Dituria është eprori, vepra është drejtuesi që merr urdhra dhe shpirti është rebeli. Po u ligështua eprori i këtij shpirti, nuk do të jetë korrekt ndaj drejtuesit. Gjithashtu, po u ligështua drejtuesi, nuk do të jetë korrekt ndaj eprorit. Nëse dobësohet dituria, udhëtari do të hutohet dhe s’do të dijë nga t’ia mbajë, dhe synimi i këtij personi është që të dorëzohet para Kaderit*. E nëse e lë veprën, udhëtari do të hutohet dhe do të marrë një rrugë tjetër, duke e ditur se po e lë atë rrugë. Ky person është i hutuar dhe nuk e di se nga t’ia mbajë edhe pse ka udhëtuar shumë. Ky e ka humbur rrugën, ka devijuar nga rruga duke e ditur këtë gjë.” [Mexhmu’ul Fetaua, 10/544]

* Shënim i përkthyesit: Ibën Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë, me këtë shprehje “synimi i këtij personi është që të dorëzohet para Kaderit” në këtë kontekst ka për qëllim fjalët e Xhebrijeve dhe Sufistëve të cilët nuk bëjnë vepra dhe argumentohen me Kaderin e Allahut për braktisjen e veprave. Allahu e di më së miri.