139

Namazi është peshore

Transmeton Ebul 'Alijeh, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë: "Udhëtoja për disa ditë për të shkuar te ndonjë njeri që të dëgjoja hadithe prej tij. Pastaj e vëzhgoja atë njeri se si falej. Nëse shikoja se ishte i përpiktë në namaz, dëgjoja prej tij hadithe. E nëse shikoja se ishte i pakujdesshëm në namaz, largohesha dhe nuk merrja hadithe prej tij, dhe thoja me vete: ‘Përderisa ai është kështu me namazin, është akoma më i pakujdesshëm në gjërat e tjera.’ [Libri Sijerul-e'alamin-nubela, i Dhehebijut, 4/209]
Komenti i Shejkh AbduRrezzak el-Bedër:

Namazi është peshorja e besimit dhe sipas besimit të njeriut është edhe namazi i tij, i cili plotësohet dhe përsoset. Nëse namazi i tij përmirësohet, do t'i përmirësohen edhe veprat e tjera, e nëse namazi i përkeqësohet, do t'i përkeqësohen edhe veprat e tjera. Namazi është një matës i përpiktë me të cilin njeriu mund ta peshojë veten dhe të tjerët, se sa hise ai ndan për të dhe sa i kushton rëndësi atij. Namazi është pasqyra e gjendjes së njeriut dhe masa e madhështisë së Fesë së Allahut që gjendet në zemrën e njeriut. Ai që e neglizhon atë, atëherë për gjërat e tjera ai është ende më i pakujdesshëm. Ai është kandari preciz për të peshuar qëndrueshmërinë e fetarisë së njeriut, pozitën, hisen dhe pozicionin e tij në Islam.