113

Rreziku i betimit në dikë tjetër përveç Allahut

Abdullah ibën Mesudi, radijAllahu anhu, ka thënë: “Është më e dashur për mua që të betohem rrejshëm në Allahun, se sa të betohem në dikë tjetër përveç Allahut duke e thënë të vërtetën.” [Libri El-Musannef i Ibën Ebi Shejbe, 12414]
Komenti i Shejkh AbduRrezzak el-Bedër:

Reflekto rreth kësaj fjale të tij, radijAllahu ‘anhu dhe vendose atë në baraspeshë në mënyrë që të të bëhet i qartë qëllimi i kësaj fjale.

Ai që betohet rrejshëm në Allahun, në këtë betim janë bashkuar dy gjëra: një e mirë dhe një e keqe; e mira e Teuhidit dhe e keqja e gënjeshtrës. Kurse përballë kësaj në kategorinë tjetër, gjithashtu qëndrojnë një e mirë dhe një e keqe: e mira e thënies së vërtetës dhe e keqja e shirkut. Nuk ka dyshim se e mira e Teuhidit është më e mirë dhe më e madhe se e mira e thënies së të vërtetës, kurse e keqja e shirkut është më e rëndë dhe më e madhe se e keqja e gënjeshtrës. Pra, i pari (ai që është betuar rrejshëm në Allahun) ka arritur të fitojë të mirën më të vlefshme dhe është ruajtur nga e keqja më e madhe.