Një ndodhi të ngjashme e ka përmendur Doktor ‘AbdUllah Ibën ‘Abdul-Muhsin et-Turkij për Shejkh Muhamed Ibën Salih el-‘Uthejmin, Allahu e mëshiroftë. Ka thënë: “Më kujtohen për Shejkhun e nderuar dy ndodhi të rralla në kohën e sotme. Njëra është se kur u vendos sistemi universitar, Universiteti përzgjodhi anëtarët e këshillit akademik në të, sipas stafit që kishte Universiteti. Kishte disa procedura për arritjen e gradave, të cilat kërkonin që të paraqisje hulumtime dhe studime për fushën e specializimit, kurse ai nuk paraqiti asnjë studim. Kur u hap seanca, ai u justifikua për mos-paraqitjen e asnjë studimi nga ana e tij, sepse dijetari nuk duhet të kërkojë rrogë apo poste administrative dhe se dituria e sheriatit i ndihmon ata që të shpresojnë shpërblimin nga Allahu dhe të punojnë për Fytyrën e Allahut, kurse çfarë u vjen prej furnizimit nga dituria e tyre, s’ka problem.”
Kurse ndodhia e dytë është: “Ai më ka befasuar kur unë kam qenë rektor i Universitetit, sepse ai më solli një zarf që kishte brenda një shumë të hollash. E pyeta si qëndronte çështja me të dhe ai më tha se ajo ishte paga që i kishin dhënë për të mbajtur seminaret në fakultetin e Sheriatit dhe Usul Dinit në Kasim. Atë kohë ai ishte në juridiksionin e Institutit të ‘Unejzes dhe ishte i angazhuar me përgatitjen e librave mësimorë të Institutit Akademik. Për këtë arsye, kohën që duhet ta kishte kaluar në seminaret në Universitet, ai e kishte kaluar duke shkruar librat mësimorë që duheshin për Institutin Akademik (në ‘Unejze). Ai tha: “Prandaj unë nuk e meritoj pagën që më kanë dhënë.” E s’ka dyshim se këto dy ndodhi janë të rralla për këtë kohë.