El-Hafidh Ibën Rexheb ka thënë: “T’i veçosh ogurzitë vetëm në një kohë të caktuar e jo në kohërat e tjera, si për shembull në muajin Sefer, apo në ndonjë muaj tjetër, kjo gjë nuk është e saktë, porse e gjithë koha është krijesë e Allahut të Lartësuar dhe brenda kësaj kohe bëhen veprat e bijve të Ademit. Në çdo kohë që besimtari i bindet Allahut, ajo kohë është e begatshme, kurse çdo kohë që njeriu është i angazhuar në mosbindje ndaj Allahut, ajo kohë është ogurzezë për të. Realisht ogurzi është të mos i bindesh Allahut të Lartësuar... Shkurtimisht themi: “Nuk ka ogurzi vetëm se në mëkate, sepse ato e zemërojnë Allahun; nëse Allahu zemërohet me robin e Tij, ai rob do të jetë i dëshpëruar në dunja dhe ahiret, e nëse Allahu është i kënaqur me robin e Tij, ai rob do të jetë i lumtur në dunja dhe ahiret. Një njeri i devotshëm i tha njërit i cili iu ankua për një fatkeqësi që i kishte pllakosur njerëzit: “Kjo që ju ka gjetur juve, mendoj se është për shkak të fatkeqësisë së mëkateve tuaja.” Ebu Hazmi ka thënë: “Çdo gjë që të largon nga Allahu, siç janë familja, pasuria dhe fëmija, në fakt ajo për ty është fatkeqësi.” [Lataiful-Me’arif, fq. 151]