el-ehad
الْأَحَدُ
ai që është një
el-uaahid
الْوَاحِدُ
i vetmi
Për sa i përket emrit të të Lartësuarit El-Ehad, ai është përmendur vetëm në një vend në Kur`an, në suren El-Ikhlas, e cila është sureja madhështore, për të cilën ka ardhur në Sunet nga Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – se ajo sure përbën një të tretën e Kur`anit, ngaqë ajo u veçua për të sqaruar emrat e bukur të Allahut dhe cilësitë e Tij madhështore e të larta. Ndërsa, emri i Tij El-Uaahid është përsëritur disa herë, në disa vende të ndryshme në Kur`an.

Këta dy emra tregojnë që Allahu është një dhe i vetëm, domethënë që i Pastri nga çdo mangësi është unik me cilësitë e lavdisë dhe madhështisë, është i veçuar me tiparet e madhërisë, lartësisë dhe bukurisë, sepse Ai është një në qenien e Tij dhe s’ka asnjë të ngjashëm me Të. Ai është një në cilësitë e Tij dhe s’ka asnjë të përshembullt me Të. Ai është një në veprat e Tij dhe s’ka asnjë ortak e as të barabartë me Të. Ai është një në të drejtën për t’u adhuruar dhe s’ka asnjë tjetër të barabartë apo ortak me Të, në dashurinë, madhërimin, përuljen dhe nënshtrimin që i takon vetëm Atij.

Është përsëritur disa herë përmendja e emrit të Allahut El-Uaahid në Kur`anin Fisnik, në disa vende të ndryshme, në kontekstin e theksimit të Teuhidit dhe asgjësimin e shirkut dhe bërjes ortak Atij.
Ka thënë i Pastri nga çdo mangësi, kur thekson Teuhidin e Tij dhe obligimin e bërjes së fesë me sinqeritet vetëm për Të:

">﴿وَإِلَٰهُكُمۡ إِلَٰهٞ وَٰحِدٞۖ لَّآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ٱلرَّحۡمَٰنُ ٱلرَّحِيمُ١٦٣﴾

“I Adhuruari juaj është vetëm një i adhuruar; s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Atij dhe Ai është i Gjithëmëshirëshmi, Mëshirëploti." [El-Bekarah, 163]

Ka thënë gjithashtu i Lartësuari, kur asgjëson besimet e njerëzve të shirkut:

">﴿۞وَقَالَ ٱللَّهُ لَا تَتَّخِذُوٓاْ إِلَٰهَيۡنِ ٱثۡنَيۡنِۖ إِنَّمَا هُوَ إِلَٰهٞ وَٰحِدٞ فَإِيَّٰيَ فَٱرۡهَبُونِ٥١﴾

“Ka thënë Allahu: mos bëni dy të adhuruar sepse ka vetëm një të Adhuruar, prandaj vetëm Mua ma kini frikën." [En-Nahl, 51]

Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:

">﴿ءَأَرۡبَابٞ مُّتَفَرِّقُونَ خَيۡرٌ أَمِ ٱللَّهُ ٱلۡوَٰحِدُ ٱلۡقَهَّارُ٣٩﴾

“A janë më të mirë disa zota të ndryshëm apo Allahu, i Vetmi, Nënshtruesi i gjithçkaje?!" [Jusuf, 39]

Kështu që, obligimi që kanë robërit është që t’i përmbahen Teuhidit të Tij, me besim, me fjalë e me vepër, duke e pranuar përsosmërinë e Tij absolute, duke e veçuar atë me Teuhidin e Tij, duke e veçuar Atë të vetëm, me të gjitha llojet e adhurimit, pa i shoqëruar ortak Atij.