i përsosuri absolut, të cilit ia ka nevojën çdo krijesë,
kurse ai nuk ka nevojë për askënd
Ky emër ka ardhur në suren el-Ikhlaas dhe kuptimi i tij është: Sunduesi Madhështor, i Cili është i përsosur në dijen e Tij, në urtësinë e Tij, në vetëpërmbajtjen e Tij, në fuqinë e Tij, në krenarinë e Tij, në madhështinë e Tij dhe në të gjitha cilësitë e Tij. Pra, ky emër i përmbledh shumë cilësi dhe ai është më i madhi i tyre. Atij i drejtohen të gjitha krijesat. Atë e synon gjithçka që ekziston, për të gjitha nevojat e tyre.
Pra, krijesat nuk kanë Zot tjetër veç Tij, e as nuk synojnë dikë tjetër veç Tij, që të kërkojnë ndihmë për rregullimin e çështjeve të tyre fetare dhe për rregullimin e çështjeve të tyre në dunja. Ata kërkojnë ndihmën e Tij për fatkeqësitë dhe problemet e tyre, si dhe i përgjërohen Atij kur i zënë hallet dhe belatë. I kërkojnë ndihmë Atij kur kanë vështirësi dhe mundime, ngase e dinë që vetëm Ai ua plotëson nevojat. Ai ua largon belatë, për shkak të dijes së Tij të përsosur, mëshirës së Tij të gjerë, butësisë, mirësisë së Tij, fuqisë së Tij të madhe, krenarisë dhe pushtetit të Tij.
Ka transmetuar Ibën Xherir et-Taberij në Tefsirin e tij, nga ‘AbdUllah Ibën ‘Abbasi – Allahu qoftë i kënaqur me ta – se ai ka thënë: “Emri Es-Samed do të thotë: Drejtuesi që është i përsosur në Drejtimin e Tij; Fisniku që është i përsosur në Fisnikërinë e tij; Madhështori që është i përsosur në Madhështinë e Tij; Durimtari që është i përsosur në Durimin e Tij; i Pasuri që është i përsosur në Pasurinë e Tij; i Larti që është i përsosur në Lartësinë e Tij; i Dijshmi që është i përsosur në Dijen e Tij; i Urti që është i përsosur në Urtësinë e Tij. Ai është i përsosur në të gjitha aspektet e fisnikërisë dhe madhështisë, e pikërisht Ai është Allahu i Lartësuar. Këto janë cilësitë e Tij të cilat nuk i takojnë askujt tjetër veç Tij.” [4]