err-rezzaak
الرَّزَّاقُ
furnizuesi i gjithçkaje
err-raazik
الرَّازِقُ
furnizuesi
Emri i Allahut Err-Rezzaak është përmendur në Kur'anin fisnik vetëm në një vend, që është Fjala e Allahut të Lartësuar:

">﴿إِنَّ ٱللَّهَ هُوَ ٱلرَّزَّاقُ ذُو ٱلۡقُوَّةِ ٱلۡمَتِينُ٥٨﴾

“Me të vërtetë Allahu, Ai është Furnizuesi i gjithçkaje, Ai i Cili posedon fuqinë e pathyeshme." [Edh-Dharijat, 58]

Ndërsa emri Err-Rraazik është përmendur në trajtën e shumësit në disa vende; një prej tyre është Fjala e Allahut të Lartësuar:

">﴿ وَٱللَّهُ خَيۡرُ ٱلرَّٰزِقِينَ١١﴾

“Allahu është më i miri nga të gjithë furnizuesit." [El-Xhumu'ah, 11]

Gjithashtu, ai është përmendur në Sunet, siç do të përmendet më vonë te emrat El-Kaabid dhe El-Baasit.

Pra, Allahu i Patëmeta është Furnizuesi i gjithçkaje (Err-Rrazzaak), që do të thotë se Ai e ka marrë përsipër furnizimin e robërve. Ai e mban çdo gjallesë me furnizimin e përditshëm që ajo ka nevojë. Thotë i Lartësuari:

">﴿۞وَمَا مِن دَآبَّةٖ فِي ٱلۡأَرۡضِ إِلَّا عَلَى ٱللَّهِ رِزۡقُهَا﴾

“Çdo gjallese që është në tokë, Allahu e ka garantuar furnizimin e saj." [Hud, 6]

Thotë gjithashtu i Lartësuari:

">﴿وَكَأَيِّن مِّن دَآبَّةٖ لَّا تَحۡمِلُ رِزۡقَهَا ٱللَّهُ يَرۡزُقُهَا وَإِيَّاكُمۡۚ ﴾

“E sa prej gjallesave nuk kanë mundësi ta sigurojnë furnizimin e tyre, kurse Allahu i furnizon ato edhe juve." [El-Ankebut, 60]

Furnizimi i Allahut për robërit e Tij është dy llojesh:

I pari: Furnizimi i përgjithshëm, i cili përfshin të devotshmin dhe të shthururin, besimtarin dhe qafirin, të parët dhe të fundit. Ky është furnizimi fizik për ta. Thotë i Lartësuari:

">﴿۞وَمَا مِن دَآبَّةٖ فِي ٱلۡأَرۡضِ إِلَّا عَلَى ٱللَّهِ رِزۡقُهَا ﴾

“Çdo gjallesë që është në tokë, Allahu e ka garantuar furnizimin e saj." [Hud, 6]

Duke u bazuar në këtë themi se: nëse dikush ka furnizim të shumtë të këtij lloji në këtë botë, kjo nuk është argument se ai është i nderuar tek Allahu. Ashtu siç nuk është argument furnizimi i pakët i ndonjërit, se ai është i pavlerë tek Allahu.

Thotë i Lartësuari:

﴿فَأَمَّا ٱلۡإِنسَٰنُ إِذَا مَا ٱبۡتَلَىٰهُ رَبُّهُۥ فَأَكۡرَمَهُۥ وَنَعَّمَهُۥ فَيَقُولُ رَبِّيٓ أَكۡرَمَنِ١٥ وَأَمَّآ إِذَا مَا ٱبۡتَلَىٰهُ فَقَدَرَ عَلَيۡهِ رِزۡقَهُۥ فَيَقُولُ رَبِّيٓ أَهَٰنَنِ١٦﴾

“E sa i përket njeriut, që kur Zoti i tij e sprovon duke e nderuar dhe duke i dhënë mirësi, ai thotë: ‘Zoti im më ka nderuar!’ Ndërsa, kur e sprovon duke ia pakësuar furnizimin e tij, Ai thotë: ‘Zoti im më ka poshtëruar’!” [El-Fexhr, 15-16]

Ky ajet do të thotë se: jo çdokush që Allahu e ka begatuar në dynja është i nderuar tek Ai; e jo çdokujt që Allahu i ka dhënë pak furnizim në dunja, është i poshtëruar tek Ai. Në të vërtetë, pasuria dhe varfëria, bollëku dhe pakica, janë sprovë dhe testim nga Allahu, që të dallohet se kush është falënderues e kush është mosmirënjohës, kush është durimtar e kush është jo durimtar.

I dyti: Furnizimi i veçantë. Ky është furnizimi i zemrave dhe ushqimi i tyre me dije dhe iman dhe furnizimi hallall që e ndihmon robin që të jetë në rregull me fenë e tij. Ky furnizim është i veçantë vetëm për besimtarët, në varësi të gradave të tyre, sipas urtësisë dhe mëshirës së Tij. Pastaj, Allahu i Patëmeta do ta plotësojë bujarinë dhe mirësinë e Tij për ta, Ditën e Gjykimit, duke i futur në Xhennetet e begative. Thotë i Lartësuari:

">﴿وَمَن يُؤۡمِنۢ بِٱللَّهِ وَيَعۡمَلۡ صَٰلِحٗا يُدۡخِلۡهُ جَنَّٰتٖ تَجۡرِي مِن تَحۡتِهَا ٱلۡأَنۡهَٰرُ خَٰلِدِينَ فِيهَآ أَبَدٗاۖ قَدۡ أَحۡسَنَ ٱللَّهُ لَهُۥ رِزۡقًا١١﴾

“E kush beson në Allahun dhe vepron vepra të mira, Ai do ta fusë atë në Xhennete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përjetësisht. E sa furnizim të mirë që i ka dhënë Allahu atij!" [Et-Talak, 11]