“Të devotshmit janë në kopshte dhe lumenj. Në kuvendin e të vërtetës, tek Sunduesi i Plotfuqishëm.” [El-Kamer, 54-55]
Këta dy emra tregojnë se Allahu, i Pastri nga çdo mangësi, është Ai që posedon sundimin, që do të thotë se Ai është Zotëruesi i të gjitha gjërave, Ai i drejton ato dhe askush nuk mund ta kundërshtojë apo ta pengojë Atë.
Është përsëritur vazhdimisht në Kur`anin fisnik sqarimi se, veçimi i Allahut në sundim dhe që Ai nuk ka ortak në sundimin e Tij, është argument i qartë se është obligim që Ai të veçohet i vetëm me adhurim. I Lartësuari ka thënë:
“Ky është Allahu, Zoti juaj; Atij i përket sundimi; nuk ka të adhuruar tjetër që e meriton adhurimin përveç Tij. Atëherë, si është e mundur që ju largoheni nga Ai?" [Ez-Zumer, 6]
Gjithashtu, ky është argument që vërteton se adhurimi që i dedikohet dikujt tjetër në vend të Allahut, dikujt që nuk posedon për veten e tij as dëm e as dobi, as jetë, as vdekje e as ringjallje, pikërisht ky është devijimi më i madh dhe pavërtetësia më e madhe. Në Kur`an kanë ardhur një numër ajetesh që e pohojnë këtë realitet dhe e sqarojnë këtë çështje, siç ka thënë Allahu i Lartësuar:
“Ky është Allahu, Zoti juaj, Atij i përket sundimi. Kurse ata që ju i adhuroni në vend të Atij, nuk zotërojnë as edhe një cipë të bërthamës së hurmës." [Fatir, 13]
“Ata kanë bërë të adhuruar të tjerë, në vend të Atij, të adhuruar që nuk krijojnë asgjë e që vetë janë të krijuar, të cilët nuk zotërojnë për vetet e tyre as dëm e as dobi, nuk zotërojnë as vdekje, as jetë e as ringjallje." [El-Furkan, 3]
E ai që nuk zotëron asnjë grimcë në këtë univers, nuk lejohet që t’i dedikohet asnjë formë adhurimi, ngaqë adhurimi është e drejtë vetëm e Mbretit Madhështor, Krijuesit Fisnik, Zotit që drejton çdo gjë në këtë gjithësi, i Cili nuk ka ortak; Ai është i Plotfuqishmi, i Gjithëpushtetshmi, i Lartmadhëruari, e s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij.