Emri i Allahut të Madhëruar dhe të Lartësuar, El-Muëtij, është vërtetuar në Sahihun e Bukharit, nga hadithi i Muauijes – radijAllahu ‘anhu – i cili ka thënë se: i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:
“Atij që Allahu ia do të mirën, ia mundëson që ta kuptojë fenë drejtë. Allahu është Dhënësi, kurse unë jam shpërndarësi. E do të vazhdojë ky Umet që të jetë fitimtar mbi ata që janë kundërshtarët e tij, derisa të vijë urdhri i Allahut, duke qenë ata fitimtarë.”
Emri tjetër i Allahut të Madhëruar dhe të Lartësuar El-Xheu-uaad është përmendur në një hadith Kudsij, të cilin e ka transmetuar Ebu Dherri – radijAllahu ‘anhu – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:
“Allahu i Lartësuar thotë: O robërit e Mi, të gjithë ju jeni të humbur, përveç atij që e kam udhëzuar...” vazhdon hadithi më tej. E ka transmetuar Tirmidhiu dhe Ibën Maxheh.
“...për arsye se Unë jam Bujar dhe i Madhërishëm, bëj atë që dua Unë. Dhënia Ime është fjalë, dënimi Im është fjalë dhe kur Unë e dua një gjë, vetëm them “bëhu” dhe ajo bëhet menjëherë!”
Emri El-Mu’ëtij do të thotë: Ai që veçohet me cilësinë e dhënies, në kuptimin absolut të fjalës dhënie. Atë që e jep Ai, nuk ka kush që ta pengojë, dhe atë që e privon Ai, nuk ka kush që t’i japë. E dhëna e Zotit të Patëmeta është thjesht një fjalë dhe privimi që bën Ai, është thjesht një fjalë. Nëse Ai dëshiron diçka, thjesht i thotë asaj “Bëhu!” dhe ajo gjë bëhet menjëherë! Çdo begati që kanë robërit është veçse nga mirësia dhe dhënia e Tij, të Pastrit nga çdo mangësi.
Dhënia e Tij i ka përfshirë të gjithë robërit, qoftë ai besimtar apo pabesimtar, qoftë i devotshëm apo i shthurur, por kjo gjë vlen vetëm për në dynja. Kurse në Ditën e Kijametit, Ai do t’i veçojë me dhënie vetëm robërit e Tij besimtarë që Ai i do. I Lartësuari ka thënë:
“Thuaj: Kush i ka ndaluar gjërat e bukura të Allahut, të cilat Ai i ka sjellë për robërit e Tij, si dhe furnizimin me ushqime të mira? Thuaj: Ato janë për ata që kanë besuar në jetën e kësaj bote dhe do të jenë të veçanta për ta në Ditën e Kijametit. Kështu ne i sqarojmë ajetet tona në detaj, për njerëzit që marrin vesh." [El-Araf, 32]
Emri El-Xheuaad do të thotë: Ai që jep shumë. Ai i Cili i ka përfshirë të gjitha krijesat me bujarinë e Tij, i Cili i ka furnizuar plot nga fisnikëria, bujaria dhe mirësia e Tij e shumëllojshme. Asnjë krijesë nuk pavarësohet dot nga mirësia që bën Ai, as sa një përpëlitje të syrit.
Ibën Kajjimi – Allahu e mëshiroftë – ka thënë: “Allahu do nga robërit e Tij që ata të presin e të shpresojnë nga Ai dhe t’i kërkojnë Atij nga fisnikëria e Tij, ngaqë Ai është Mbreti i vërtetë, Bujari i Madh. Ai është më bujari nga sa i kërkojnë dhe Ai që dhuron me tepricë kur u jep krijesave të Tij. Gjëja më e dashur për Bujarin e Madh është që të shpresosh nga Ai, të presësh nga Ai dhe të kërkosh nga Ai. Në një hadith ka ardhur se:
مَنْ لَمْ يَسْأَلِ اللهَ، يَغْضَبْ عَلَيْهِ.
“Kush nuk i kërkon Allahut, Allahu zemërohet me të.”
Ne shpresojmë nga Bujari Fisnik, i Pastri nga çdo mangësi, që të na begatojë neve të gjithëve që të bëjmë shkaqet të cilat na sigurojnë fitimin nga Bujaria dhe Fisnikëria e Tij, si dhe që të na ruajë neve nga shkaqet, të cilat na shpien te Zemërimi, Ndëshkimi dhe Hakmarrja e Tij. E gjithë bujaria në të vërtetë i takon Atij dhe e gjithë begatia vjen vetëm prej Tij. Urdhërimi, fund e krye, është në dorën e Tij. I pashoq është Ai!