“I Madhëruar është Emri i Zotit tënd, Poseduesi i Madhështisë dhe Lavdisë." [Err-Rrahman, 78]
Gjithashtu, edhe në Sunetin Profetik është transmetuar vlera e madhe që ka lutja me këtë emër. Është transmetuar në ‘El-Musned’ nga Rabij'ah Ibën 'Amir – radijAllahu ‘anhu – se ai e ka dëgjuar Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – të thotë:
أَلِظُّوا بِيَا ذَا الْجَلَالِ وَالْإكْرَام
“Thoni sa më shumë: “Ja Dhel-Xhelaali uel-Ikraam! O Posedues i Madhështisë dhe i Lavdisë!”
Domethënë: përmbahuni fort pas këtij emri, përqendrohuni në të, shqiptojeni dhe thuajeni atë sa më shumë në lutjet tuaja.
Gjithashtu, është transmetuar në Sahihun e Muslimit, nga Theubani – radijAllahu ‘anhu – i cili ka thënë se: “I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – pasi mbaronte namazin, (pas Selamit) thoshte tre herë “EstagfirUllah”, e më pas thoshte:
اللّهُـمَّ أَنْـتَ السَّلامُ وَمِـنْكَ السَّلام تَبارَكْتَ يا ذا الجَـلالِ وَالإِكْـرام!
Allahumme Entes-Selaamu ue minKes-selaamu, Tebarakte ja Dhel-Xhelaali uel-Ikraam!
“O Allah, Ti je i Përsosuri nga çdo mangësi dhe prej Teje vjen shpëtimi, i Madhëruar je Ti që posedon Madhështinë dhe Lavdinë!”
Emri Dhul-Xhelaali uel-Ikraam është nga emrat e përbërë dhe janë një numër i vogël i këtyre emrave që sipas një grupi të dijetarëve llogariten si Emrat e Bukur të Allahut.
Shejkhul-Islam Ibën Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Gjithashtu, prej emrave të përbërë të Allahut janë edhe emrat si:
Më i Mëshirshmi i të gjithë mëshiruesve (erhamurr-rraahimiin) – أَرْحَمُ الرَّاحِمِين
Falësi më i mirë (Khajrul-gaafiriin) – خَيْرُ الْغَافِرِين
Zoti i gjithësisë (Rabbul-‘aaalemiin) – رَبُّ الْعَالَمِين
Sunduesi i Ditës së Gjykimit (Maaliku jeumid-Diin) – مَالِكُ يَوْمِ الدِّين
Krijuesi më i mirë (Ahsenul-Khaalikiin) – أَحْسنُ الْخَالِقِين
Tubuesi i njerëzve në ditën që s’ka dyshim në të (Xhaami’un-naasi li-jeumin la rajbe fijhi) – جَامِعُ النَّاسِ لِيَوْمِ لَا رَيْبَ فِيْهِ
Ndryshuesi i zemrave (Mukal-libul-kuluub) –مُقَلِّبُ الْقُلُوب
Ka dhe emra të tjerë të ngjashëm që janë vërtetuar në Kur'an dhe Sunet. Gjithashtu, është vërtetuar bërja e lutjeve me këto emra, sipas unanimitetit të muslimanëve.”
Në emrin e Allahut të Lartësuar Dhul-Xhelaali uel-Ikraam bashkohen dy cilësi: El-Xhelaal që përmban madhështinë, ndërsa ‘El-Ikraam’ përmban lavdinë dhe dashurinë.
Ka thënë Shejkhul-Islam Ibën Tejmijeh – Allahu e mëshiroftë: “Përderisa është Ai që e meriton Madhështinë dhe Lavdinë, atëherë detyrimisht që Ai duhet të përshkruhet në Veten e Tij me ato cilësi që kuptohen prej tyre, si për shembull: kur thua që i Adhuruari është Ai që e meriton që të jetë i adhuruar ,domethënë Ai meriton që të adhurohet. Pikërisht, këtë gjë e obligon edhe kuptimi i këtij emri Dhul-Xhelaali uel-Ikraam, domethënë Ai meriton që të madhërohet dhe të lavdërohet...”
Vazhdon më tej Ibën Tejmijeh duke thënë: “...robërit nuk e përmbushin dot lavdërimin e Tij, ashtu siç i takon Atij, por Ai është ashtu siç e ka lavdëruar Veten e Tij. Gjithashtu, Ai meriton plotësisht që të madhërohet e të lavdërohet, ngaqë Allahu i Patëmeta e madhëron dhe e lavdëron Veten e Tij, ndërsa robërit nuk e përmbushin dot madhërimin dhe lavdërimin e Tij, ashtu siç i takon Atij. Pra, fjala ‘el-ixhlaal’ është një lloj madhërimi, ndërsa fjala ‘el-ikraam’ është një lloj dashurie dhe lavdërimi dhe është e ngjashme me Fjalën e Tij:
">﴿لَهُ ٱلۡمُلۡكُ وَلَهُ ٱلۡحَمۡدُۖ﴾
“Atij i përket pushteti dhe Atij i përket lavdia." [Et-Tegabun, 1]
Pra, Atij i përket madhështia dhe sundimi, i përket lavdia dhe lavdërimi.”
Allahut i takojnë falënderimet e shumta, të sinqerta dhe të begata, për lehtësimin dhe mirësinë që ka sjellë, ndërsa unë nuk e përmbush dot lavdërimin që meriton Ai.
“O Zoti im, ma mundëso mua të të falënderoj për begatinë Tënde, me të cilën më ke begatuar mua dhe prindërit e mi dhe që të bëj vepra që të kënaqin Ty; dhe me Mëshirën Tënde më fut mua në radhët e robërve të Tu të devotshëm." [En-Neml, 19]
Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi Profetin tonë, Muhammedin, si dhe mbi familjen e tij dhe shokët e tij.