el-uitr
الْوِتْرُ
ai është tek, i vetmi, i pashembullti
Ky është një emër që është vërtetuar në Sunet. Është transmetuar në dy Sahihët nga Ebu Hurejrah – radijAllahu ‘anhu – se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

لِلَّهِ تِسْعَةٌ وَتِسْعُونَ اسْمًا، مِائَةٌ إِلاَّ وَاحِدًا، لاَ يَحْفَظُهَا أَحَدٌ إِلاَّ دَخَلَ الْجَنَّةَ، وَهْوَ وَتْرٌ يُحِبُّ الْوَتْرَ.‏

“Allahu ka nëntëdhjetë e nëntë emra, njëqind pa një. Kushdo që i mëson ato, do të hyjë në Xhennet. Ai është Tek dhe e do namazin vitër.”

Emri El-Uitru do të thotë: i Vetmi, i Cili nuk ka ortak dhe nuk ka të ngjashëm me Të. Pra, ky është një emër që tregon për njëjësinë e Allahut të Patëmeta, që Ai veçohet me të gjitha cilësitë e përsosura dhe veçoritë e madhërishme, e se Ai nuk ka asnjë ortak dhe asnjë të ngjashëm në ndonjërën prej tyre. Tekstet e shumta në Kur'anin fisnik që mohojnë ekzistencën e ndonjë ortaku, apo ndonjë të ngjashmi, apo ndonjë të barabarti, apo të njëjti me Allahun, janë argument për këtë dhe e pohojnë në mënyrën më të qartë.

Besimi që Allahu është Tek, përmban mohimin e ortakërisë për Të, në çdo aspekt, në veten e Tij, në cilësitë e Tij dhe në veprat e Tij, si dhe përmban pohimin që Allahu i Patëmeta është i Vetëm në madhështi, përsosmëri, lavdi, krenari dhe madhëri. Gjithashtu, ky emër përmban pohimin se Allahu është i Vetëm që ka shpikur të gjitha krijesat dhe i ka sjellë ato në ekzistencë, si dhe është i Vetëm që vepron me to çfarë të dëshirojë Ai. Kështu që, Ai nuk ka ortak, as të ngjashëm, as të barabartë e as të njëjtë.

Ky pohim, obligon që vetëm Ai të veçohet duke i dedikuar nënshtrimin, përgjërimin, dashurinë, shpresën, mbështetjen, kthimin tek Ai, si dhe të gjitha llojet e tjera të adhurimit.
Ka thënë Ebul-‘Abbas El-Kurtubij – Allahu e mëshiroftë: “Me emrin El-Uitr është për qëllim Teuhidi, kështu që kuptimi i tij është se: Allahu në veten e Tij, në përsosmërinë e Tij dhe në veprat e Tij është Një. Ai e do Teuhidin, që do të thotë: Ai do që të veçohet me adhurime dhe të besohet se Ai është i Vetëm dhe Unik, e askush tjetër nga krijesat e Tij. Kështu përputhet fillimi i hadithit me fundin e tij, si dhe përputhet kuptimi i jashtëm i hadithit me kuptimin e tij të brendshëm”.

Pra, fillimi i hadithit njofton që Allahu është Unik dhe i Vetëm në madhëri dhe përsosmëri, në krijimin, lëvizjen dhe dhe sistemimin e krijesave, ndërsa fundi i hadithit është nxitje për Teuhid, inkurajon që t’i përmbahesh atij, duke e sqaruar dashurinë e Allahut të Patëmeta për njerëzit e Teuhidit, ata të cilët e mbajnë dhe e ruajnë atë.
Allahu ka sqaruar në Kur'anin fisnik se ata që marrin ndërmjetës për tek Allahu, në të vërtetë i kanë bërë shirk Atij, ngaqë ata ndërmjetës nuk posedojnë për adhuruesit e tyre asgjë prej mirësisë dhe dobisë. Allahu i Lartësuar ka thënë:

﴿وَيَعۡبُدُونَ مِن دُونِ ٱللَّهِ مَا لَا يَضُرُّهُمۡ وَلَا يَنفَعُهُمۡ وَيَقُولُونَ هَٰٓؤُلَآءِ شُفَعَٰٓؤُنَا عِندَ ٱللَّهِۚ
قُلۡ أَتُنَبِّ‍ُٔونَ ٱللَّهَ بِمَا لَا يَعۡلَمُ فِي ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَلَا فِي ٱلۡأَرۡضِۚ سُبۡحَٰنَهُۥ وَتَعَٰلَىٰ عَمَّا يُشۡرِكُونَ١٨﴾

“... dhe adhurojnë bashkë me Allahun ata që nuk u bëjnë dëm e as dobi, duke thënë: “Këta janë ndërmjetësit tanë tek Allahu”. Thuaju: A po e njoftoni ju Allahun për diçka që Ai nuk di se çfarë ka në qiej dhe në tokë? I Pastër nga çdo mangësi dhe i Lartësuar është Ai, nga ajo që po ia shoqërojnë në adhurim!” [Junus, 18]

Pra, ai që merr dikë si ndërmjetës mes tij dhe Allahut, është mushrik (idhujtar) dhe atij nuk i bën dobi ndërmjetësimi i ndërmjetësit dhe as që do të ndërmjetësohet për të. Ndërsa, Ai që e merr Allahun të Vetëm për Zot të tijin, të Adhuruarin e tij, të Dashurin e tij, të Vetmin tek i Cili shpreson, nga i Cili ka frikë, i Vetmi që kërkon t’i afrohet, kërkon kënaqësinë e Tij dhe ruhet nga Zemërimi i Tij, Allahun e Patëmeta, pikërisht ky është besimtar me Teuhid, ky do të ketë përfundim të lavdishëm, do të ketë lumturi dhe sukses në këtë botë dhe në botën tjetër.

Allahu na dhëntë sukses në realizimin e kësaj grade dhe na bëftë me mirësinë dhe bujarinë e Tij prej banorëve të Xheneteve të begatshme.