err-rrafiik
الرَّفِيقُ
i buti
Ky është një nga emrat që është vërtetuar në Sunet. Ka transmetuar Bukhari në Sahihun e tij nga Urueh, i cili transmeton nga ‘Aishah – radijAllahu anha – se ajo ka thënë: “Një grup Jehudësh kërkuan leje që të takonin Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe i thanë: “Es-Saamu ‘alejke!”(Vdekja qoftë mbi ty!) Kurse unë thashë: “Përkundrazi, mbi ju qoftë vdekja dhe mallkimi!” Atëherë, ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – tha:

يَا عَائِشَةُ! إنَّ اللهَ رفيقٌ يُحِبُّ الرِّفْقَ في الأمْرِ كُلِّهِ.

“Oj Aisheh! Me të vërtetë që Allahu është i Butë dhe e do butësinë në çdo gjë.”

Unë i thashë: “A nuk e dëgjove se çfarë thanë?!” Ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – tha:

قُلْتُ وَعَلَيْكُمْ!

“Unë thashë: Ashtu qoftë edhe mbi ju!”

Ky hadith flet qartazi për emërtimin e Allahut me emrin Err-Rrafiik dhe se butësia (err-rrifk) është cilësi e Tij. Cilësia e butësisë së Allahut është në gradën më të lartë dhe më të plotë, e ashtu siç i takon Madhërisë dhe Përsosmërisë së Allahut të Patëmeta.

Fjala err-rrifk do të thotë: butësi, lehtësi, qetësi dhe kujdes në të gjitha çështjet, kurse e kundërta e butësisë është egërsia dhe ashpërsia.
Kurse, emri Err-Rrafiik rrjedh nga fjala err-rrifk që është: t’i bësh punët shtruar dhe gradualisht. Pra, Allahu i Patëmeta është i Butë në caktimin e Tij, në vendimin e Tij dhe në veprat e Tij. Ai është i Butë në urdhëresat e Tij, në gjykimet e Tij, Fenë e Tij dhe në legjislacionin e Tij.

Gjithashtu, nga butësia e Allahut të Patëmeta në veprat e Tij është se Ai i ka krijuar të gjitha krijesat gradualisht, pak nga pak, sipas urtësisë dhe butësisë së Tij, edhe pse Ai ka fuqinë që t'i krijojë të gjitha përnjëherësh, me fjalën “Bëhu!”.

Gjithashtu, nga butësia e Allahut ndaj robërve të Tij është butësia në lidhje me dispozitat, urdhëresat dhe ndalesat që ka vendosur Ai për krijesat, ngaqë Ai nuk i ngarkon robërit e Tij përtej mundësive të tyre, si dhe zbatimin e urdhëresave e ka përcaktuar sipas mundësive që kanë njerëzit. Nga ana tjetër, Allahu i ka çliruar njerëzit nga shumë vepra të tjera, vetëm për shkak të vështirësisë, si lehtësim, butësi dhe mëshirë për ta. Ai nuk i ka ngarkuar robërit e Tij që t’i kryejnë të gjitha detyrimet përnjëherësh, por i ka urdhëruar ato detyra gradualisht, varësisht prej gjendjes dhe situatës, derisa ata të adaptohen, të zbutet natyra e tyre dhe kështu të arrihet nënshtrimi i tyre për Allahun.

Gjithashtu, nga butësia e Allahut të Patëmeta me robërit e Tij është se Ai i jep kohë gjynahqarit dhe mëkatarit dhe nuk ia shpejton ndëshkimin, në mënyrë që të kthehet te Zoti i tij, të pendohet nga gjynahet dhe t’i kthehet udhëzimit.

Gjithashtu, nga butësia e Allahut të Patëmeta është se e gjithë feja e Tij është butësi, lehtësim dhe mëshirë. Gjithashtu, Ai i ka urdhëruar robërit e Tij për butësi dhe u jep nëpërmjet butësisë atë çfarë nuk ua jep nëpërmjet ashpërsisë.

Çdo çështje që bëhet me butësi, zbukurohet. Ai që është privuar nga butësia, është privuar nga mirësia. Prandaj, çdo musliman duhet të jetë i butë, në të gjitha punët e tij, në çdo lloj situate. Nuk duhet të ngutet, të nxitojë, të bëjë veprime të pamatura dhe të tregohet gjaknxehtë sepse ngutja është prej shejtanit dhe nuk i sjell njeriut gjë tjetër, veçse zhgënjim dhe dështim. I mjafton butësisë si nder dhe vlerë fakti që ajo është e dashur për të Gjithëmëshirshmin, ngaqë Allahu i Patëmeta është i Butë dhe e do butësinë. Ndërsa, detyra jonë është që të zbukurohemi me butësinë, në të gjitha çështjet tona.

Dhe vetëm Allahu e jep suksesin, i pashoq është Ai!