es-sejjid
السَّيِّدُ
poseduesi, zotëruesi
Ky është një emër që është transmetuar në hadith nga i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Hadithin e ka transmetuar Ebu Davudi me një zinxhir të saktë transmetimi, nga Abdullah Ibën Esh-Shikh-khir – radijAllahu ‘anhu – i cili thotë:

“Shkova së bashku me delegacionin e fisit Benu 'Amir tek i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe i thamë: “Ti je sejjidi ynë!”

Kurse ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – tha:

السَّيِّدُ اللهُ تَبَارَكَ وَتَعَالَى

“Es-Sejjid është Allahu i Madhëruar e i Lartësuar.”

Ne i thamë: “Ti je njeriu më i mirë nga ne dhe më fisniku nga ne.”

Ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – tha:

قُولُوا بِقَوْلِكُمْ أَوْ بَعْضِ قَوْلِكُمْ وَلَا يَسْتَجْرِينَّكُم الشَّيْطَان.

“Thojini këto fjalë që thatë ose ndonjërën prej tyre, por ruhuni se mos ju shtyn shejtani në kurthin e tij.”

Është transmetuar nga Abdullah Ibën ‘Abbasi – radijAllahu ‘anhuma – se ai ka thënë në lidhje me Fjalën e të Lartësuarit:

">﴿ٱللَّهُ ٱلصَّمَدُ﴾

“Allahu është Es-Samed." [El-Ikhlas, 2]

Ai është Es-Sejjid (Zotëruesi), i Cili ka pushtet dhe zotërim të plotë.

Qëllimi i Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – me fjalën “Es-Sejjid është Allahu!” është që: zotërimi në realitet i përket vetëm Allahut të Plotfuqishëm e të Madhërishëm, ngaqë vetëm Allahut të Madhëruar e të Lartësuar i takon në mënyrë absolute zotërimi, mbretërimi, krijimi dhe sistemimi i gjithësisë, e vetëm Atij duhet t'i përulesh, nënshtrohesh e dorëzohesh plotësisht.

Pra, Allahu i Patëmeta është Zotëruesi, të Cilit i përket rregullimi dhe sistemimi në këtë univers dhe nuk ka asnjë ortak me Të.
Dhe, Allahu i Patëmeta është Zotëruesi, të Cilit i përket adhurimi, përulja dhe nënshtrimi, e nuk ka asnjë ortak me Të. Ashtu siç është Allahu i Patëmeta, Zotëruesi që i sistemon krijesat e nuk ka ortak me Të, po ashtu, patjetër që Ai është Zotëruesi, i Adhuruari me të drejtë, i pa ortak, sikurse ka thënë i Lartësuari:

">﴿قُلۡ أَغَيۡرَ ٱللَّهِ أَبۡغِي رَبّٗا وَهُوَ رَبُّ كُلِّ شَيۡءٖۚ﴾

“Thuaj: A mos duhet të kërkoj Zot tjetër përveç Allahut, ndërsa Ai është Zoti i gjithçkaje?!" [El-En'am, 164]
Ibën Abbasi – radijAllahu ‘anhuma – në lidhje me kuptimin e Fjalës së Tij “..të kërkoj Zot..” ka thënë: “Domethënë: të kërkoj një të adhuruar tjetër, një zotërues tjetër.”
Ndërsa, në lidhje me Fjalën e Tij:

﴿وَهُوَ رَبُّ كُلِّ شَيۡءٖۚ﴾

“...ndërsa Ai është Zoti i gjithçkaje?!”

Ibën Xherir Et-Taberij ka thënë: “Ai është Zotëruesi i çdo gjëje poshtë Tij, Ai që i sistemon dhe rregullon çdo gjë.”

Ky është argumenti më i fortë dhe prova më e qartë për kotësinë e shirkut dhe marrjen e të adhuruarve të tjerë në vend të Tij. Kështu që, ai që beson se ka zotërues tjetër përveç Allahut, qoftë ai i vdekur apo i gjallë, si dhe beson se ai ka mundësi që të sjellë të mirën dhe të largojë të keqen, apo ia kërkon atij nevojat e tij, apo i kërkon atij që t’i largojë hallin dhe fatkeqësinë dhe të ngjashme me këto, i këtilli i ka bërë shirk Allahut të Madhërishëm. Disa popuj janë sprovuar me besimin e prishur që disa të vdekur në varreza të bëjnë dobi, prandaj u atribuojnë atyre cilësinë e zotërimit, besojnë tek ata, u kërkojnë ndihmë atyre dhe u përulen atyre, duke e tradhtuar kështu Teuhidin e tyre dhe duke u njollosur me gjëra që e anulojnë dhe e kundërshtojnë atë.

Medito rreth hadithit të mësipërm, se si Profeti i Zgjedhur – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e ka mbrojtur shenjtërinë e Teuhidit, se si e ka ruajtur pozitën e tij dhe se si i ka mbyllur të gjitha rrugët që të shpien te Shirku. Kur atij i thanë: “Ti je Sejjidi ynë!”, ai tha:

السَّيِّدُ اللهُ تَبَارَكَ وَتَعَالَى

“Es-Sejjid është Allahu i Madhëruar e i Lartësuar.”

Pastaj u tha atyre:

وَلَا يسْتَجْرِينَّكُم الشَّيْطَان

“...por ruhuni se mos ju shtyn shejtani në kurthin e tij.” – edhe pse ata nuk thanë gjë tjetër, veçse një të vërtetë.

Ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – është zotëria i bijve të Ademit, është robi më i mirë i Allahut dhe imami i të devotshmëve, ama, kur Allahu ia përsosi atij pozitën si rob i përkushtuar i Allahut, ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – filloi ta urrejë lavdërimin që ia bënin njerëzit. Në mënyrë që ta ruante këtë pozitë, e udhëzoi Umetin e tij që ta braktisin lavdërimin, si këshillë për ta, si dhe që ta mbrojnë pozitën e Teuhidit nga infiltrimi i gjërave që e prishin apo e dobësojnë atë, siç është shirku dhe rrugët që të shpien tek ai dhe i bëjnë zemrat që të kenë njëfarë varësie nga krijesat, që të përulen e të përkulen para tyre, gjë që është e ndaluar dhe nuk lejohet që t’i dedikohet dikujt tjetër, përveçse Allahut të Vetëm, Nënshtruesit Suprem të gjithësisë.