mbuluesi i turpeve dhe gjynaheve të robërve të tij
Ky emër është përmendur në hadithin e Ja’la Ibën Umejjeh – radijAllahu ‘anhu, i cili është përmendur më herët.
Gjithashtu, ka transmetuar Ibën Ebi Hatim në tefsirin e tij dhe Bejhakiu në librin ‘es-Sunen el-Kubra’, nga ‘Ikrimah, i cili transmeton nga Ibën Abbasi – radijAllahu ‘anhuma – se dy burra e pyetën atë në lidhje me kërkimin e lejes për të shkuar në shtëpitë e njerëzve në tre kohët e ndaluara, të cilat janë përmendur në Kur'an, kurse Ibën Abbasi – radijAllahu ‘anhuma – u tha:
“Me të vërtetë që Allahu është Mbuluesi i turpeve dhe Ai e do mbulimin e turpeve. Njerëzit nuk kishin mbulesë në pragjet e tyre dhe as perde në shtëpitë e tyre, e mund të ndodhte që të futej papritmas tek i zoti i shtëpisë shërbëtori i tij, fëmija i tij apo fëmija jetim i gruas së tij, ndërkohë që ai ishte në shtrat me gruan e tij. Atëherë, Allahu i urdhëroi ata që të kërkojnë leje përpara së të hyjnë në këto kohë, të cilat i ka përcaktuar Ai. Më pas, Allahu i urdhëroi ata që t'i vendosin këto mbulesa dhe i furnizoi ata me mirësi, e pastaj ata i vendosën këto mbulesa e perde në shtëpitë e tyre. Kështu, njerëzit e panë se kjo mjaftoi për kërkimin e lejes, përpara se të futeshin në shtëpitë e të tjerëve, gjë për të cilën ishin urdhëruar nga Allahu.”
Emri Es-Sittiir do të thotë Es-Saatir, Mbuluesi, Ai që i mbulon shumë turpet dhe mangësitë e robërve të Tij dhe nuk i turpëron ata publikisht, po ashtu edhe Ai i Cili do nga robërit e Tij që t’i mbulojnë gjynahet e tyre, të cilat i turpërojnë, i skandalizojnë dhe i shëmtojnë ata. E pikërisht kjo është mirësi dhe mëshirë nga Allahu, është vetëpërmbajtje dhe fisnikëri nga ana e Allahut të Patëmeta.
Robi mund të bjerë në ndonjë gjynah apo mëkat, ndonëse robi është tmerrësisht nevojtar për Zotin e Tij të Patëmeta, kurse Zoti i Patëmeta, pavarësisht mospasjes së asnjë nevoje për krijesat e Tij, për bindjen dhe për ibadetin e tyre, prapëseprapë Ai e nderon robin e Tij, ia mbulon gjynahet dhe ka turp që ta demaskojë atë, që t’ia shpalosë gjynahet dhe ta ndëshkojë atë. Përkundrazi, Ai ia lehtëson atij marrjen e shkaqeve për mbulimin e gjynaheve, e ndihmon që të ndjejë keqardhje dhe të pendohet, e toleron dhe e fal atë. E gjithë kjo është nga butësia që ka Allahu i Patëmeta me krijesat e Tij dhe mëshira që ka ndaj robërve të Tij.
“E është pikërisht Ai që e pranon pendimin nga robërit e Tij, i fal të këqijat dhe e di atë që bëni ju." [Esh-Shura, 25]
Për këtë arsye, Allahu i Patëmeta urren që robi i Tij kur bën një mëkat, ta përhapë atë dhe t’ua tregojë njerëzve. Përkundrazi, ai duhet t’i lutet Allahut në fshehtësi që Ai t’ia pranojë pendimin. Kështu zbret mbulimi i Allahut mbi të, e jo duke i treguar gjynahun dikujt prej njerëzve. Nga njerëzit më të urryer tek Allahu është ai që e kalon natën duke bërë mëkate, ndërkohë që Allahu ia ka mbuluar ato, pastaj kur zgjohet në mëngjes, ai e heq mbulesën e Allahut që ia mbuloi ato mëkate!
Është transmetuar në dy Sahihët nga Ebu Hurejrah – radijAllahu ‘anhu – se ai e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – duke thënë:
“I gjithë ummeti im është i falur, përveç atyre që i shfaqin mëkatet e veta. Shfaqja e gjynaheve është kur njeriu bën një mëkat natën, ndërkohë që Allahu ia ka mbuluar atë. Ai thotë: ‘O filan, mbrëmë kam bërë kështu e kështu’. Ai e kaloi natën duke qenë i mbuluar nga Zoti i tij për atë mëkat, ndërsa kur zgjohet, e nxjerr në shesh atë që Allahu ia kishte mbuluar.”
Nga kjo kuptohet që duhet të mbulohen mëkatet e robërve të Allahut, të shmanget zbulimi i tyre dhe të mos gjurmohen turpet e tyre. Është transmetuar në dy Sahihët, nga hadithi i Ibën Umerit – radijAllahu ‘anhuma – se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:
55. Zinxhirin e transmetimit të fjalës së Ibën ‘Abbasit, radijAllahu ‘anhuma, Ibën Kethiri e ka konsideruar të saktë në Tefsirin e tij (vëll.6/fq.89-90).
56. E kanë transmetuar Bukhariu (6069) dhe Muslimi (2990)
57. E kanë transmetuar Bukhariu (2442) dhe Muslimi (2580)