el-hajijj
الحَيِيّ
i turpshmi
Në Kur`an është përmendur fjala turp ‘el-hajaa’ si folje, e cila i atribuohet Allahut të Plotfuqishëm e të Madhërishëm. Allahu i Lartësuar thotë:

">﴿۞إِنَّ ٱللَّهَ لَا يَسۡتَحۡيِۦٓ أَن يَضۡرِبَ مَثَلٗا مَّا بَعُوضَةٗ فَمَا فَوۡقَهَاۚ﴾

“Allahu nuk turpërohet që të sjellë shembullin e mushkonjës dhe çfarë është mbi të." [El-Bekarah, 26]

Ky emër është përmendur në dy hadithe.

Hadithi i parë: është hadithi i Ja’la Ibën Umejjeh – radijAllahu ‘anhu – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – pa dy njerëz që po laheshin në një vend të hapur dhe nuk kishin veshur izar (rrobë që mbështillej nga mesi e poshtë). Në këtë rast, ai hipi në minber, filloi ta falënderojë e lavdërojë Allahun, pastaj tha:

إِنَّ اللَّهَ عَزَّ وَجَلَّ حَيِيٌّ سَتِيرٌ يُحِبُّ الْحَيَاءَ وَالسِّتْرَ فَإِذَا اغْتَسَلَ أَحَدُكُمْ فَلْيَسْتَتِرْ

“Me të vërtetë që Allahu i Plotfuqishëm dhe i Madhërishëm është i Turpshëm dhe është Mbulues i turpeve të njerëzve; Ai e do turpin dhe mbulimin e turpeve. Nëse dikush nga ju lahet, atëherë le të mbulohet.”

Hadithi i dytë: është hadithi i Selman Farisiut – radijAllahu ‘anhu – i cili ka thënë se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

إِنَّ رَبَّكُمْ تَبَارَكَ وَتَعَالَى حَيِيٌّ كَرِيمٌ يَسْتَحْيِي مِنْ عَبْدِهِ إِذَا رَفَعَ يَدَيْهِ إِلَيْهِ أَنْ يَرُدَّهُمَا صِفْرًا.

“Me të vërtetë që Zoti juaj i Madhëruar dhe i Lartësuar është i Turpshëm dhe Fisnik, Ai ka turp nga robi i Tij kur ai i ngre duart e tij duke iu lutur Atij, kurse Ai t’ia kthejë duart bosh!”

Ky emër fisnik është argument që vërteton se turpi është cilësi e Allahut të Plotfuqishëm e të Madhërishëm, ashtu siç i ka hije madhështisë dhe përsosmërisë së Tij. Askush nga krijesat nuk është i ngjashëm me Allahun e Patëmeta, në asnjë nga cilësitë e Tij dhe askush nga krijesat nuk i përngjan Atij. Sikurse ka thënë i Lartësuari:

">﴿لَيۡسَ كَمِثۡلِهِۦ شَيۡءٞۖ وَهُوَ ٱلسَّمِيعُ ٱلۡبَصِيرُ١١﴾

“Asgjë nuk është si Ai. Ai është Dëgjuesi, Shikuesi i gjithçkaje." [Esh-Shura, 11]

Po ashtu, i Lartësuari ka thënë:

">﴿هَلۡ تَعۡلَمُ لَهُۥ سَمِيّٗا٦٥﴾

“A mos di ndonjë që është i ngjashëm me Atë!" [Merjem, 65]

Kështu që, turpi i Allahut të Patëmeta, është një cilësi, e cila është ashtu siç i ka hije Atij, e nuk është sikur turpi që kanë krijesat.
Ajo që duhet të thuhet për këtë cilësi është e njëjta gjë që themi edhe për të gjitha cilësitë e tjera të Zotit të Patëmeta. Ashtu siç pohojmë për Allahun që Ai ka dituri, e cila nuk është si dituria jonë, pohojmë për Të cilësinë e shikimit që nuk është si shikimi ynë, pohojmë për Të cilësinë e dëgjimit që nuk është si dëgjimi jonë, pohojmë për Të vullnetin, i cili nuk është si vullneti jonë, po ashtu ne pohojmë që Allahu ka turp, por turpi i Tij nuk është si turpi jonë. Kështu që, çdo gjë që Allahu e ka pohuar për Veten e Tij dhe çdo gjë që i Dërguari i Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka pohuar për Allahun, është e vërtetë dhe nuk ka aspak dyshim në të.

Allahu i Patëmeta është i Turpshëm, e do turpin dhe i do ata që kanë turp. Shumë tekste kanë ardhur që urdhërojnë dhe nxisin për turp, si dhe e konsiderojnë turpin një degë prej degëve të Imanit. Këto tekste sqarojnë frytet madhështore të turpit, ndikimin e tij të begatshëm dhe se turpi është i gjithi i mirë.
Turpi më i madh dhe më i detyrueshëm është turpi që duhet të ketë robi nga Allahu i Plotfuqishëm dhe i Madhërishëm. Është transmetuar nga ‘AbdUllah Ibën Mesudi – radijAllahu ‘anhu – se ai ka thënë: I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

اسْتَحْيُوا مِنَ اللَّهِ حَقَّ الْحَيَاءِ‏! ‏قَالَ: قُلْنَا يَا رَسُولَ اللَّهِ إِنَّا لَنَسْتَحْيِي وَالْحَمْدُ لِلَّهِ.‏ قَالَ: ‏لَيْسَ ذَاكَ وَلَكِنَّ الاِسْتِحْيَاءَ مِنَ اللَّهِ حَقَّ الْحَيَاءِ أَنْ تَحْفَظَ الرَّأْسَ وَمَا وَعَى وَتَحْفَظَ الْبَطْنَ وَمَا حَوَى وَتَتَذَكَّرَ الْمَوْتَ وَالْبِلَى وَمَنْ أَرَادَ الآخِرَةَ تَرَكَ زِينَةَ الدُّنْيَا فَمَنْ فَعَلَ ذَلِكَ فَقَدِ اسْتَحْيَا مِنَ اللَّهِ حَقَّ الْحَيَاءِ‏.

“Kini turp nga Allahu ashtu siç duhet!” Ne i thamë: “O i Dërguari i Allahut! Padyshim që ne kemi turp dhe falënderimi i takon Allahut.”Ai tha: ‘Nuk është ai turpi (që keni për qëllim ju), por të kesh turp nga Allahu ashtu siç duhet, do të thotë që ta mbrosh kokën tënde dhe çfarë ka përbrenda, ta ruash barkun dhe çfarë ka përbrenda, ta kujtosh vdekjen dhe fatkeqësinë. Ai që e do botën tjetër, heq dorë nga bukuritë e dunjasë. Ai që e bën këtë, është turpëruar me të vërtetë nga Allahu ashtu siç duhet.’”

Allahu na furnizoftë neve dhe juve me turpin që duhet të kemi prej Tij! Allahu na dhëntë sukses që të përmbushim frikën që duhet të kemi prej Tij, kur jemi vetëm dhe kur jemi me njerëz, fshehurazi dhe haptazi!