el-mennaan
المَنَّان
dhuruesi i mirësive të shumta e të mëdha
Ky emër është vërtetuar në Sunetin e Profetit fisnik – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Ka transmetuar Imam Ahmedi dhe të tjerë përveç tij, nga Enes Ibën Malik – radijAllahu ‘anhu – se Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e ka dëgjuar një burrë duke thënë:

اللَّهُمَّ إِنِّي أَسْأَلُكَ بِأَنَّ لَكَ الْحَمْدَ لاَ إِلَهَ إِلاَّ أَنْتَ وَحْدَكَ لاَ شَرِيكَ لَكَ الْمَنَّانُ بَدِيعُ السَّمَوَاتِ وَالأَرْضِ ذُو الْجَلاَلِ وَالإِكْرَامِ.

“O Allah, unë të kërkoj Ty, duke dëshmuar se me të vërtetë Ty të takon e gjithë lavdia dhe falënderimet. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë, përveç Teje. Ti je i vetmi dhe Ti s’ke ortak. Ti je Dhuruesi i çdo mirësie. Shpikësi i qiejve dhe i tokës. Merituesi i madhërimeve dhe lavdeve.”

Ndërsa Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i tha:

لَقَدْ سَأَلْتَ اللهَ بِاسمِهِ الأعظمِ الَّذي إذا دُعي به أجاب وإذا سُئل به أعطى.

“Me të vërtetë që i ke kërkuar Allahut me emrin e Tij më të madh, të Cilit nëse i lutesh me këtë emër, Ai të përgjigjet, e nëse i kërkon diçka me të, Ai ta jep atë që i kërkove.”

Emri El-Mennaan do të thotë: Ai që jep shumë, jep dhurata të mëdha, bën shumë të mira. Ai i Cili i lëshon pa masë mirësitë mbi robërit e Tij dhe u jep pandërprerë begati nga mirësia dhe bujaria e Tij.

Nuk ka dhurues absolut, përveç Allahut të Vetëm, i Cili të dhuron, përpara se të kërkosh nga Ai! Atij i takon merita për mirësitë robërve të Tij, e asnjë tjetër nga krijesat nuk ka ndonjë meritë tek Ai. I Lartësuar është Allahu, me lartësinë më të madhe, që dikush të ketë ndonjë meritë tek Ai! Kjo është një çështje e cila dëshmohet qartazi te të gjitha krijesat, qofshin krijesa të mira apo të këqija, për mirësitë e panumërta që u ka dhuruar Ai, për dhuratat e bollshme, për mbështetjen bujare, për mëshirën e gjerë, për mirëbërjen dhe butësinë e Tij, për plotësimin e kërkesave të atyre që kanë telashe, për largimin e fatkeqësive nga ata që janë goditur me fatkeqësi, për ndihmën që u jep atyre që janë të zhytur në dëshpërim, për largimin e sprovave dhe belave pasi që të jenë përmbushur shkaqet, përpara se ato të ndodhin, si për largimin e tyre pasi që ato të kenë ndodhur, si dhe për butësinë e Allahut të Lartësuar për ata që i kanë humbur shpresat se ato mund të largohen.

Prej begative më të mëdha të Allahut të Patëmeta, është edhe udhëzimi që u jep Ai elitës dhe robërve të Tij në rrugën që të shpie në Tokën e Paqes, edhe mbrojtja e Tij për ta, në mënyrën më të mirë, edhe ruajtja e Tij për ta, që të mos bien në gjynahe, edhe fakti që Ai ua bëri atyre të dashur Imanin dhe ua zbukuroi në zemrat e tyre, edhe fakti që Ai ua bëri atyre të urryer mosbesimin, gjynahun dhe mosbindjen, edhe që i bëri ata prej të udhëzuarve... si dhe shumë e shumë mirësi dhe begati të llojeve të ndryshme. Është pikërisht Ai, Allahu i Patëmeta, i Cili ka thënë:

">﴿وَإِن تَعُدُّواْ نِعۡمَةَ ٱللَّهِ لَا تُحۡصُوهَآۗ﴾

“Edhe po të përpiqeshit t'i numëronit mirësitë e Allahut, nuk do të arrinit dot kurrë që t'i numëronit ato." [En-Nahl, 18]

Është i Madhërishmi që ka thënë:

">﴿وَمَا بِكُم مِّن نِّعۡمَةٖ فَمِنَ ٱللَّهِۖ﴾

“E çdo mirësi e begati që ju keni, e keni nga Allahu!" [En-Nahl, 55]

Andaj, kush dëshiron që të shohë burimet e mirësive, atëherë le ta hedhë shikimin vazhdimisht në kopshtet e Kur'anit Fisnik dhe të meditojë në mirësitë e Tij të mëdha, të cilat i ka përmendur Allahu në të, si dhe në dhuratat e Tij të çmuara dhe begatitë e Tij të shumta.
Dhe kush e njeh Zotin e tij – të Pastrin nga çdo mangësi – me këtë emër madhështor dhe e di që vetëm Ai është dhënës i mirësive dhe i dhuratave, Ai që dhuron dhe begaton, atëherë kjo njohje e obligon atë që ta lavdërojë Zotin e tij për dhuratat e Tij dhe ta falënderojë Atë për mirësinë e Tij dhe për dhuratat që i ka dhënë. Thotë i Lartësuari:

">﴿رَبِّ أَوۡزِعۡنِيٓ أَنۡ أَشۡكُرَ نِعۡمَتَكَ ٱلَّتِيٓ أَنۡعَمۡتَ عَلَيَّ وَعَلَىٰ وَٰلِدَيَّ﴾

“Ai (Sulejmani) tha: O Zoti im, ma mundëso mua që të jem falënderues për mirësitë e Tua, të cilat m'i dhurove mua dhe prindërve të mi." [En-Neml, 19]

O Allah, Ty të takojnë lavdet dhe falënderimet për të gjitha këto, lavde dhe falënderime të shumta, të mira e të pafundme. O Allah, Ty të takojnë lavdet dhe falënderimet, derisa Ti të jesh i Kënaqur, e prapë Ty të takojnë lavdet dhe falënderimet nëse je kënaqur.