Të dy këta dy emra kanë ardhur në Sunetin Profetik. Transmetohet në veprat ‘Es-Sunen’ dhe ‘El-Musned’ të Imam Ahmedit, nga Enes Ibën Malik – Allahu qoftë i kënaqur me të – se ai ka thënë: “U shtrenjtuan çmimet në kohën e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe njerëzit i thanë atij: “O i Dërguari i Allahut! Sikur të na i kishe caktuar ti çmimet!” Kurse ai tha:
“Allahu është Krijuesi, El-Kaabid (Marrësi), El-Baasit (Lëshuesi), Furnizuesi dhe Ai që i cakton çmimet. Unë shpresoj që ta takoj Allahun dhe të mos më kërkojë askush që të hakmerret për ndonjë padrejtësi që t’i kem bërë në gjak dhe pasuri.”
Emri El-Baasit do të thotë: Ai që ia lëshon furnizimin e Tij kujt të dojë nga robërit e Tij.
Emri El-Kaabid do të thotë: Ai që ia pakëson apo e privon nga furnizimi i Tij, kujt të dojë nga robërit e Tij, për një urtësi që e di Allahu dhe që është në dobi të robërve.
Allahu i Lartësuar ka thënë:
“Sikur Allahu t’ua lëshonte furnizimin robërve të vet, ata do t’i kalonin kufijtë në tokë, por Ai e zbret furnizimin me masë, si të dojë Ai. Vërtet, Ai është i Gjithëdijshëm dhe i shikon imtësisht robërit e Tij." [Esh-Shura, 27]
Fjala arabe ‘el-kabd’, nga e cila vjen emri El-Kaabid, do të thotë pakësim i furnizimit. Kurse fjala arabe ‘el-bast’, nga e cila vjen emri El-Baasit, do të thotë zgjerim dhe shtim i furnizimit. I gjithë furnizimi, pakësimi apo shtimi i tij, është në Dorën e Allahut të Plotfuqishëm e të Madhërishëm. Pra, është Ai që i pakëson të mirat (El-Kaabid) dhe është Ai që shton të mirat (El-Baasit), është Ai që të lartëson (Err-Rraafi’), është Ai që të ul poshtë (El-Khaafid), është Ai që jep të mira (El-Muëtij), Ai që i ndalon të mirat (El-Maanië), është Ai që të bën të fuqishëm dhe krenar (El-Mu’iz), si dhe është Ai që të poshtëron (El-Mudhil). Ai nuk ka asnjë ortak.
Shtimi dhe pakësimi i furnizimit janë përmendur bashkë me emrin e Allahut të Plotfuqishëm dhe të Madhërishëm në shumë tekste të Kur`anit dhe Sunetit. I Lartësuari ka thënë:
“Allahu ia lëshon furnizimin kujt të dojë dhe i jep me masë kujt të dojë. Ata i gëzohen jetës së kësaj bote, kurse jeta e kësaj bote në krahasim me ahiretin është veçse një kënaqësi e përkohshme." [Err-Rra’d, 26]
“Vërtet që Zoti yt ia lëshon furnizimin kujt të dojë dhe e jep atë me masë. Me të vërtetë që Ai është i Gjithëdijshëm dhe i shikon imtësisht robërit e Tij." [El-Israa, 30]
Të gjitha këto tekste dhe të ngjashmet si këto, vërtetojnë që shtimi dhe pakësimi i furnizimit është i tëri në Dorën e Allahut, të Madhëruarit dhe të Lartësuarit, me drejtimin dhe sistemimin e Allahut të Patëmeta. Ai e shton pasurinë, mirëqenien, moshën, diturinë dhe jetën për cilin të dojë Ai, si dhe i pakëson këto të gjitha për cilin të dojë Ai, e Ai është i Urti Absolut dhe i Gjithëdijshmi.
O Allah, na i shto neve begatitë e Tua, mëshirën Tënde, mirësinë Tënde dhe furnizimin Tënd!