Ky emër ka ardhur në transmetim autentik në Sunetin e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Ka transmetuar Muslimi në Sahihun e tij nga Abdullah Ibën Mes'udi – radijAllahu ‘anhu – se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:
“Nuk do të hyjë në Xhenet ai që ka në zemrën e tij qoftë edhe një grimcë mendjemadhësie”. Një burrë i tha: “Po nëse dikush dëshiron që rroba e tij dhe shapkat e tij të jenë të bukura?” Ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – tha: “Me të vërtetë që Allahu është i Bukur dhe e do të bukurën. Mendjemadhësia është refuzimi i të vërtetës dhe nënçmimi i njerëzve.”
Ky emër fisnik është argument që vërteton bukurinë e Allahut në emrat, cilësitë, qenien dhe veprat e Tij. Ka thënë Ibën Kajjimi – Allahu e mëshiroftë: “Bukuria e Tij ndahet në katër kategori:
1. Bukuria e qenies
2. Bukuria e cilësive
3. Bukuria e veprave
4. Bukuria e emrave
Pra, të gjithë emrat e Tij janë të bukur. Të gjitha cilësitë e Tij janë të përsosura. Të gjitha veprat e Tij janë me urtësi, janë të dobishme, janë të drejta dhe të mëshirshme. Për sa i përket bukurisë së qenies së Tij dhe vendit mbi të cilin qëndron Ai, kjo është një çështje që askush nuk arrin ta perceptojë dot, përveç Atij dhe askush nuk e di, përveç Atij. Krijesat dinë veçse disa përkufizime me të cilat Allahu ka përshkruar Veten e Tij dhe që i ka kumtuar te disa robër të zgjedhur të Tij, të cilët i ka nderuar Ai.
Kjo ngaqë bukuria e Tij është e ruajtur nga ndryshimet dhe nga çdo gjë tjetër, është e mbuluar me mbulesën e ‘ridasë’ dhe ‘izarit’, siç ka thënë i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – kur ka transmetuar Fjalën e Tij:
الكِبْرِيَاءُ رِدَائِي وَالْعَظَمَةُ إزَارِي
“Krenaria është ridaja Ime dhe madhështia është izari Im.”
Atëherë, ç'mendim ke ti për një bukuri që është e mbuluar me veçori të përsosura dhe është fshehur me cilësitë e madhështisë dhe lavdisë?!
Duke u nisur nga ky kuptim, kuptohen edhe disa nga domethëniet e bukurisë së Qenies së Tij, ngaqë robi duke njohur veprat e Tij, kalon gradualisht te njohja e cilësive, pastaj, nga njohja e cilësive kalon gradualisht te njohja e Qenies së Tij. Pra, kur ai shikon diçka nga veprat e bukura të Allahut, ai e merr atë si argument për bukurinë e cilësive të Tij, pastaj, bukurinë e cilësive të Tij e merr si argument për bukurinë e Qenies së Tij...”
Nga kjo arrijmë në konkluzionin se, dhuntia e plotë dhe begatia më e madhe për banorët e Xhenetit është shikimi në të Adhuruarin e tyre, në Zotin e tyre, në Mbrojtësin e tyre të Bukur e Madhështor, të Pastrin nga çdo mangësi. Kjo është gjëja më e madhe që u jepet atyre dhe është gjëja më fisnike që ata do të arrijnë. Shikimi në Allahun është gjëja më e dashur për ta, është kënaqësia e shpirtrave, gëzimi i zemrave, ndriçimi i fytyrave të tyre dhe nderimi më i madh që u bëhet atyre.
Është transmetuar në Sahihun e Muslimit nga Suhejbi – radijAllahu ‘anhu – se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:
“Kur banorët e Xhennetit të hyjnë në Xhennet, Allahu i Madhëruar e i Lartësuar do të thotë: “A doni t'ju jap diçka më tepër?” Ata do të thonë: ‘A nuk na i ndriçove fytyrat tona, a nuk na fute në Xhennet e na shpëtove nga Zjarri?’ Atëherë, Ai do ta heqë mbulesën (që i pengon ata që ta shikojnë Atë), kështu, atyre nuk iu jepet diçka më e dashur për ta, sesa shikimi në Zotin e tyre të Plotfuqishëm e të Madhërishëm.”
O Allah, ne të kërkojmë Ty kënaqësinë e shikimit në Fytyrën Tënde fisnike dhe të na shtosh mallëngjimin për takimin me Ty, si dhe na mbro nga çdo gjë që na dëmton dhe nga çdo sprovë që na devijon!
48. Shënim i përkthyesit: Hadithin e ka transmetuar Imam Muslimi në Sahihun e tij, kapitulli “Bamirësia, mbajtja e lidhjeve farefisnore dhe normat e sjelljes”, tema “Ndalimi i mendjemadhësisë”, me numër 2620.
Ka thënë Khatabiu – Allahu e mëshiroftë: “Kuptimi i këtij hadithi është se krenaria dhe madhështia janë dy cilësi të Allahut të Plotfuqishëm e të Madhërishëm, me të cilat është veçuar Ai dhe askush tjetër nuk ka hise bashkë me Të në ndonjërën prej atyre dy cilësive, si dhe askujt prej krijesave nuk i takon që të pretendojë për veten e tij ndonjërën prej atyre dy cilësive, ngaqë cilësia e krijesës është që të jetë e përkulur dhe e përulur. Ai ka dhënë si shembull ridanë (copën e sipërme me të cilën mbulohet burri) dhe izarin (copën e poshtme me të cilën mbulohet burri) duke thënë se – dhe Allahu e di më së miri! – ashtu siç nuk bëhet askush ortak me njeriun në dy rrobat e tij, ridanë dhe izarin, po ashtu, asnjë krijesë nuk bëhet ortak me Mua në krenarinë dhe madhështinë Time”. [Me’alim Es-Sunen, vëll. 4 /fq.350]