esh-shaafijj
الشَّافِيُّ
shëruesi
Ky është një prej emrave që ka ardhur nëpërmjet transmetimeve autentike në Sunetin Profetik. Ka ardhur në dy Sahihët, hadithi autentik nga ‘Aishah – radijAllahu ‘anha – se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i kërkonte mbrojtje Allahut për njërin nga anëtarët e familjes së tij, duke e fërkuar atë me dorën e tij të djathtë dhe thoshte:

‏ اللَّهُمَّ رَبَّ النَّاسِ أَذْهِبِ الْبَاسَ، اشْفِهِ وَأَنْتَ الشَّافِي، لاَ شِفَاءَ إِلاَّ شِفَاؤُكَ، شِفَاءً لاَ يُغَادِرُ سَقَمًا.

“O Allah, o Zoti i njerëzve! Largoja të keqen dhe shëroje atë sepse Ti je Shëruesi! Nuk ka shërim tjetër, përveç shërimit Tënd, shërim, i cili të pastron prej çdo sëmundjeje!”

Kuptimi i emrit Esh-Shaafijj është: Ai që jep shërimin, shërimin e kraharorit nga dyshimet, mëdyshjet, hasedi, inati dhe sëmundje të tjera të zemrës. Gjithashtu, Ai jep shërimin e trupave nga sëmundjet dhe lëngimet. Askush nuk ka shërim, përveçse se Ai. Nuk ka shërim tjetër, përveçse shërimit të Tij dhe nuk ka shërues tjetër, përveç Atij. Siç ka thënë robi i Tij, i dashuri, Ibrahimi – ‘alejhis-selam:

">﴿وَإِذَا مَرِضۡتُ فَهُوَ يَشۡفِينِ٨٠﴾

“E kur unë sëmurem, është Ai që më shëron." [Esh-Shu'ara, 80]

Që do të thotë: Ai është Një dhe i Vetmi që mund të sjellë shërimin dhe nuk ka ortak. Prandaj, është obligim për çdo njeri që është i obliguar me detyrat e Sheriatit, që të besojë duke qenë fort i bindur se nuk ka shërues tjetër, përveç Allahut.
Kështu që, mënyra më e mirë për t'u afruar tek Allahu i Madhëruar e i Lartësuar, për të kërkuar shërimin nga lëngimet dhe sëmundjet, është që t’i afrohesh Atij duke e veçuar Atë si Zotin e vetëm dhe se shërimi është vetëm në Dorën e Tij dhe askush nuk mund të shërojë, përveçse me lejen e Tij. Pra, të gjitha çështjet i përkasin Atij, të gjitha krijesat janë të Tij dhe çdo gjë e drejton dhe sistemon Ai. Ajo që do Ai bëhet, kurse ajo që nuk do Ai, nuk bëhet. Nuk ka ndryshim e as forcë, vetëm se nga Allahu.

Ndërsa, besimi dhe imani i robit që Shëruesi është Allahu i vetëm dhe që shërimi është në Dorën e Tij, nuk do të thotë që ai ndalohet nga marrja e shkaqeve efektive për kurim, për kërkimin e shërimit dhe për marrjen e ilaçeve të duhura. Kanë ardhur nga Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – hadithe të shumta për çështjen e shërimit dhe janë përmendur në to lloje të ndryshme të ilaçeve të dobishme e efektive dhe se kjo gjë nuk bie ndesh me mbështetjen tek Allahu dhe nuk e kundërshton besimin që shërimi është në Dorën e Tij.

Ka transmetuar Bukhari në Sahihun e tij, nga Ebu Hurejrah – radijAllahu ‘anhu – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

مَا أَنْزَلَ اللَّهُ دَاءً إِلاَّ أَنْزَلَ لَهُ شِفَاءً.

“Për çdo sëmundje që Allahu ka zbritur, padyshim që
Ai ka zbritur për të edhe shërim."

Gjithashtu, ka transmetuar Imam Ahmedi në veprën e tij ‘El-Musned’, nga Usameh Ibën Sherijk – radijAllahu ‘anhu – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

إنَّ اللهَ عزَّ وجلَّ لم يُنزِلْ داءً إلّا وأنْزَلَ له شِفاءً، عَلِمَه مَن عَلِمَه، وجَهِلَه مَن جَهِلَه.

“Me të vërtetë që Allahu nuk ka zbritur ndonjë sëmundje, e të mos ketë zbritur për të edhe ilaçin e saj; dikush e ka marrë vesh e dikush nuk e ka marrë vesh.”

Unë e lus Allahun Madhështor, Zotin e njerëzve, Larguesin e të këqijave, Shëruesin, që përveç shërimit të Tij nuk ka shërim tjetër, që Ai t'i shërojë të sëmurët tanë dhe të sëmurët e të gjithë muslimanëve!