et-tajjib
الطَّيِّب
i miri, i pastri
Ky emër ka ardhur në hadithin e Ebu Hurejras – radijAllahu ‘anhu – i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

أيُّهَا النَّاسُ! إنَّ اللَّهَ طَيِّبٌ لَا يَقْبَلُ إلَّا طَيِّبًا، وَأنَّ اللهَ أمَرَ المُؤْمِنِينَ بما أمَرَ بِهِ المُرْسَلِينَ فقال:

“O ju njerëz, me të vërtetë që Allahu është i Mirë dhe nuk pranon gjë tjetër, përveç të mirës. Allahu i ka urdhëruar besimtarët me atë që i ka urdhëruar të Dërguarit dhe Ai ka thënë:

">﴿يَٰٓأَيُّهَا ٱلرُّسُلُ كُلُواْ مِنَ ٱلطَّيِّبَٰتِ وَٱعۡمَلُواْ صَٰلِحًاۖ إِنِّي بِمَا تَعۡمَلُونَ عَلِيمٞ٥١﴾

‘O ju të Dërguar, hani nga gjërat e mira dhe bëni punë të mira. Me të vërtetë që Unë e di shumë mirë atë që punoni.’" [El-Mu’minun, 51]

Ai ka thënë gjithashtu:

">﴿يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ كُلُواْ مِن طَيِّبَٰتِ مَا رَزَقۡنَٰكُمۡ﴾

“O ju që besoni, hani nga gjërat e mira me të cilat ju kemi furnizuar." [El-Bekarah, 172]

ثم ذكر الرجلَ يطيلُ السفرَ أشعثَ أغبرَ يمدُّ يديهِ إلى السماء: يا ربّ يا ربّ! ومطعمه حرام ومشربه حرام وملبسه حرام وغُذِيَ بالحرام، فأنى يُستَجابُ لذلك؟!

Pastaj, ai përmendi atë personin i cili e zgjat udhëtimin, i pakrehur dhe i pluhurosur, i ngre duart drejt qiellit duke thënë: “O Zot, o Zot!” Kurse, ushqimi i tij është haram, pija e tij është haram, veshjen e ka haram dhe ushqehet me haram. Atëherë, si t’i pranohet lutja atij?!”

Kuptimi i emrit Et-Tajjib është se: Allahu i Lartësuar është i Patëmeta dhe i Pastër nga të gjitha mangësitë dhe të metat, ngaqë origjina e fjalës Et-Tajjib është pastërtia dhe paprekshmëria nga çdo gjë e fëlliqur. Allahu i Madhëruar e i Lartësuar ka qenë përherë dhe do të jetë përherë i Përsosur në Qenien e Tij dhe në cilësitë e Tij; edhe veprat dhe fjalët e Tij burojnë nga përsosmëria e Tij. Pra, Allahu i Patëmeta është i Përsosur, prandaj Ai bën vepra që i kanë hije përsosmërisë së Tij. Duke u bazuar në këtë, themi se: emrat e bukur të Allahut dhe cilësitë e Tij të larta, tregojnë për atë që Ai bën dhe thotë si dhe për atë që Ai nuk e bën dhe nuk e thotë, ngaqë Allahu i Patëmeta bën dhe thotë atë që obligon përsosmëria dhe madhështia e Tij. Ai nuk bën dhe nuk thotë diçka që e kundërshton këtë përsosmëri dhe madhështi.

Pra, Ai është i Mirë dhe i Pastër, Fjalët e Tij janë të mira, kurse cilësitë e Tij janë gjëja më e mirë dhe emrat e Tij janë emrat më të mirë. Emri i Tij Et-Tajjib (i Miri) tregon që prej Tij vjen veçse e mira dhe që tek Ai ngjitet veçse e mira, tek Ai afrohet veçse e mira. Pra, Fjalët e Tij janë të mira dhe tek Ai ngjitet fjala e mirë. Vepra e Tij është e mirë dhe vetëm vepra e mirë ngrihet tek Ai. Pra, të gjitha të mirat janë të Tijat, përherë i atribuohen Atij, përherë vijnë prej Tij dhe përfundojnë tek Ai.

Fjala e Profetit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – në hadith:

إنَّ اللَّهَ طَيِّبٌ لَا يَقْبَلُ إلَّا طَيِّبًا

“Me të vërtetë që Allahu është i Mirë dhe nuk pranon gjë tjetër, përveç të mirës.”
- tregon se Allahu i Patëmeta pranon vetëm fjalët dhe veprat e mira dhe kjo përfshin të gjitha veprat dhe fjalët. Kështu që, njeriu besimtar duhet të bëjë vetëm vepra të mira, duhet të thotë vetëm fjalë të mira, duhet të fitojë vetëm atë që është e mirë dhe të japë atë që është e mirë sepse me të mirën janë përshkruar veprat, fjalët dhe besimi. Të gjitha këto, veprat, fjalët dhe besimi, ndahen në të mira dhe të fëlliqura, siç ka thënë i Lartësuari:

">﴿قُل لَّا يَسۡتَوِي ٱلۡخَبِيثُ وَٱلطَّيِّبُ وَلَوۡ أَعۡجَبَكَ كَثۡرَةُ ٱلۡخَبِيثِۚ﴾

“Thuaj: E fëlliqura dhe e mira nuk janë të barabarta, edhe nëse ty të çudit e fëlliqura e shumtë." [El-Ma`ideh, 100]

Feja e pastër Islame është e gjitha fe e mirë në besimin, dispozitat dhe normat morale të saj. Besimi i kësaj feje i ka rrënjët në besimin në Allahun, melaiket e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Fundit, Kaderin e Tij, qoftë i mirë apo i keq. Ky është besimi i vërtetë, me të cilin qetësohen zemrat dhe rehatohen shpirtrat. Ky besim, e shpie robin që e beson dhe i përmbahet këtij besimi drejt synimit më fisnik dhe qëllimit më të mirë. Dispozitat e tij janë më të mirat dhe normat e tij morale janë më të mirat. Në këtë besim qëndron rregullimi i fesë dhe përmirësimi i dynjasë dhe ahiretit, kurse me lënien e kësaj feje ndodh shkatërrimi dhe humbja e çdo gjëje.

Kur besimtari e pastron dhe përmirëson në këtë botë besimin, veprat dhe fjalët e tij, Allahu do ta nderojë atë në botën e përhershme duke e futur atë në Tokën e njerëzve të mirë (në Xhenet), ku askush tjetër nuk do të futet në të, përveç atij që është i mirë. Ka thënë Allahu i Patëmeta:

">﴿وَسِيقَ ٱلَّذِينَ ٱتَّقَوۡاْ رَبَّهُمۡ إِلَى ٱلۡجَنَّةِ زُمَرًاۖ حَتَّىٰٓ إِذَا جَآءُوهَا وَفُتِحَتۡ أَبۡوَٰبُهَا وَقَالَ لَهُمۡ خَزَنَتُهَا سَلَٰمٌ عَلَيۡكُمۡ طِبۡتُمۡ فَٱدۡخُلُوهَا خَٰلِدِينَ٧٣﴾

“Do të sillen ata që ishin të devotshëm për Zotin e tyre në Xhenet grupe-grupe dhe kur do të afrohen tek ai dhe do të hapen dyert e tij, do t’u thonë atyre rojet e Xhenetit: ‘Selam alejkum! Ju keni bërë mirë (në dynja), andaj hyni në të për të jetuar përjetësisht.’" [Ez-Zumer, 73]

Pra, Allahu mbasi që përmendi futjen e njerëzve të mirë në Xhenet, menjëherë pastaj përmendi se ata u lejuan që të hyjnë në të për shkak të të mirave që kanë bërë. Domethënë, për shkak të të mirave që kanë bërë, atyre do t’u thuhet “Hyni në të”.
O Allah, na bëj prej robërve të Tu të mirë, të cilëve do t’u thuhet në Ditën e Kijametit:

">﴿ٱدۡخُلُواْ ٱلۡجَنَّةَ لَا خَوۡفٌ عَلَيۡكُمۡ وَلَآ أَنتُمۡ تَحۡزَنُونَ٤٩﴾

“Hyni në Xhenet! Nuk do të ekzistojë më frikë për ju dhe kurrë nuk do të dëshpëroheni më." [El-A’raf, 49]