ai që u jep përparësi disa gjërave me urtësinë e tij
el-muakh-khir
المُؤَخِّر
ai që i vonon disa gjëra me urtësinë e tij
Këta dy emra janë transmetuar në disa hadithe të sakta të Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Prej tyre është hadithi që ai lutej me këto fjalë:
“O Allah! M'i fal mua të gjitha gjynahet e mia, ato që i kam bërë nga padija ime. Më fal për çdo tejkalim të kufijve dhe për çdo gjë që kam vepruar, që vetëm Ti e di më mirë se unë! O Allah, m’i fal mua gabimet e mia që i kam bërë seriozisht ose me shaka, mëkatet që i kam bërë nga pakujdesia ose qëllimisht! Unë, me të vërtetë që bie në të gjitha këto gabime. O Allah, m'i fal mëkatet që kam bërë dhe ato që do të bëj, ato që i bëj fshehtazi dhe ato që i bëj haptazi, si dhe ato që Ti i di më mirë se unë. Ti je Ai që u jep përparësi dhe i vonon gjërat me Urtësinë Tënde dhe Ti je i Plotfuqishëm për çdo gjë.”
Këta dy emra shkojnë përherë çift, duke qëndruar përkrah njëri-tjetrit. Sa herë që përmendet njëri prej tyre për Allahun, menjëherë i vjen përkrah edhe tjetri, ngaqë përsosmëria është me bashkimin e këtyre dy emrave.
Përparësia dhe vonimi i gjërave janë dy cilësime me të cilat përshkruhet Allahu i Plotfuqishëm e i Madhërishëm, të cilat tregojnë që fuqia e Tij është e plotë, që vullneti i Tij është ai që realizohet gjithsesi dhe që Urtësia e Tij është e përsosur. Ato të dyja janë prej cilësive vetore, ngaqë ato janë të pandashme nga Qenia e Allahut dhe Ai cilësohet me to. Gjithashtu, ato janë prej cilësive veprore, ngaqë dhënia përparësi dhe vonimi i gjërave lidhet me vetë krijesat, qoftë me qeniet e tyre, apo qoftë me veprat dhe cilësitë e tyre.
Gjithashtu, përparësia dhe vonimi janë të paracaktuar me Kader, si për shembull krijimi i disa krijesave përpara të tjerave, apo vonimi i disa krijesave prej disa të tjerave, apo dhënia përparësi disa shkaqeve përpara shkaktuesve të tyre, apo dhënia përparësi ndaj kushteve përpara kushtëzuesve, si dhe shumë lloje të tjera të përparësisë dhe vonimit që ka të bëjë me krijimin dhe caktimin.
Po ashtu, dhënia përparësi dhe vonimi janë të lidhura edhe me ligjin universal, si për shembull, Allahu u ka dhënë përparësi disa krijesave mbi disa krijesa të tjera, kurse disa të tjera i ka ulur më poshtë, përpara disa krijesave të tjera. Ose për shembull, u ka dhënë përparësi sebepeve, përpara pasojave të tyre, kushteve, përpara gjërave që kushtëzohen prej tyre, si dhe mjaft gjëra të tjera, të cilave u jepet përparësi apo vonim, në çështjet e krijimit apo të paracaktimit. Ose mund të jetë për çështje që lidhen me Sheriatin, si për shembull, ngritja dhe përparësia që Allahu ua ka dhënë Profetëve mbi të gjithë njerëzimin, përparësia që u ka dhënë disa njerëzve mbi disa të tjerë, përparësia që u ka dhënë disa robërve të Tij mbi disa robër të tjerë. Ai u ka dhënë atyre përparësi në dituri, në Iman, në vepra, në moral e në të gjitha cilësitë e tjera, kurse disa të tjerë i ka vonuar dhe i ka lënë mbrapa në të gjitha këto. E gjithë kjo ndodh me Urtësinë e Allahut të Patëmeta. Ai i jep përparësi kujt të dojë Ai nga krijesat e Tij për mëshirën, suksesin dhe mirësinë e Tij, ndërkohë që lë mbrapa kë të dojë Ai nga krijesat e tij, në të gjitha këto, me drejtësinë e Tij.
Gjithashtu, këta dy emra janë përmendur në kontekstin e kërkimit të faljes për mëkateve në tërësi, qofshin ato të mëparshmet apo të mëvonshmet, të fshehtat dhe të dukshmet, ato që bëhen me dashje apo pa dashje. E gjithë kjo tregon se mëkatet bëhen pengesë për robin dhe e vonojnë atë, ndërsa falja e Allahut ndaj robit të Tij dhe Mëshira e Tij, e shtyjnë përpara dhe e lartësojnë atë.
Kështu që, e gjithë çështja i takon Allahut dhe është në Dorën e Tij. Ai e ul dikë ose e ngre, e nderon ose e poshtëron, i jep ose e privon. Nëse ka shkruar Allahu për dikë lavdi dhe ngadhënjim, ngritje dhe pozitë, askush nuk mund t'ia ndalojë ato. E nëse ka shkruar Allahu për dikë poshtërim, ulje dhe vonim, askush nuk mund ta ndihmojë atë që të shpëtojë prej tyre.
Prej fryteve të besimit në këtë emër është zelli për t'i dhënë përparësi asaj që i ka dhënë Allahu përparësi dhe për ta lënë më vonë atë që Allahu ka urdhëruar të bëhet më vonë.
Ibën Kajjimi – Allahu e mëshiroftë – ka thënë: “Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ishte shumë i kujdesshëm në dhënien përparësi asaj që Allahu i ka dhënë përparësi dhe në fillimin me atë gjë që ka dashur Allahu të fillohet. Prandaj, kur bëri umren, ai e filloi “Sa’jin” me Safan dhe tha: “Po e fillojmë me atë që e ka filluar Allahu!" Gjithashtu, ai e fillonte abdesin me fytyrën, më pas lante duart, e më pas lante kokën dhe nuk e ka lënë këtë gjë as edhe njëherë të vetme.”
Kështu veprohet edhe në të gjitha çështjet e Fesë. Andaj, është obligim që t'i japësh përparësi asaj që Allahu i ka dhënë përparësi dhe ta vonosh atë që Ai e ka vonuar. Ta duash atë që Ai e ka dashur dhe ta urresh atë që Ai e ka urryer, ngaqë kjo është lidhja më e fortë e Imanit.