Ky është një emër që është vërtetuar për Allahun e Plotfuqishëm e të Madhërishëm në Sunetin e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.
Ka transmetuar Imam Ahmedi në veprën ‘El-Musned’, Bukhariu në veprën ‘El-Edeb El-Mufred’, Ibën Ebi Asim në veprën ‘Es-Sunneh’, Hakimi në veprën ‘El-Mustedrak’, si dhe transmetues të tjerë, nga Xhabir Ibën ‘AbdUllah – radijAllahu ‘anhu – i cili ka thënë: “Më ka mbërritur një hadith nga një person që e kishte dëgjuar atë nga i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –. Kështu, unë bleva një deve dhe u nisa për rrugë. Udhëtova drejt tij për një muaj, derisa mbërrita në Sham. Aty gjeta ‘AbdUllah Ibën Unejsin – radijAllahu ‘anhu. Unë i thashë portierit: “Thuaji atij se Xhabiri është te porta!” Ai tha: “I biri i Abdullahut?!” Unë i thashë: “Po!” Atëherë ai doli duke e veshur rrobën e tij, më përqafoi dhe unë e përqafova gjithashtu dhe i thashë: “Më ka mbërritur një hadith prej teje, që ti e ke dëgjuar nga i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – në lidhje me ndëshkimet sheriatike. Unë pata frikë se mos vdes ti apo unë, përpara se unë ta dëgjoja këtë hadith prej teje.” Ai tha: “E kam dëgjuar të Dërguarin duke thënë:
“Do të thotë: nuk kanë asgjë me vete. Pastaj, Ai do t’i thërrasë ata me një zë që do ta dëgjojnë ata që janë larg, ashtu siç e dëgjojnë ata që janë afër, duke u thënë: ‘Unë jam Mbreti (El-Melik)! Unë jam Shpërblyesi (Ed-Dejjaan)! Asnjë nga banorët e Zjarrit nuk ka për të hyrë në Zjarr, përderisa ai ka hak pa marrë te dikush nga banorët e Xhenetit, derisa Unë t’ia marrë hakun atij; dhe asnjë nga banorët e Xhenetit nuk ka për të hyrë në Xhenet, përderisa dikush nga banorët e Zjarrit i ka hyrë në hak atij, derisa Unë t’ia marr hakun atij, qoftë edhe për goditjen me shuplakë.’”
Tha transmetuesi: Ne i thamë: “Si do të ndodhë kjo përderisa ne do të vijmë tek Allahu i Plotfuqishëm e i Madhërishëm, lakuriq, të pa bërë synet dhe trokë?” Ai tha:
بِالْحَسَنَاتِ وَالسَّيِّئَات
“Përmes shkëmbimit të sevapeve dhe gjynaheve.”
Hakimi shtoi në këtë transmetim: Pastaj i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – lexoi:
“Sot do të shpërblehet çdo shpirt për atë që ka punuar; nuk ka aspak padrejtësi sot!" [Gafir, 17]
Emri Ed-Dejjaan do të thotë: Shpërblyesi dhe Llogaritësi. Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar do t’i mbledhë të parët dhe të fundit, në Ditën e Kijametit, duke qenë lakuriq pa rroba, këmbëzbathur, të pa bërë synet dhe trokë. Pra, nuk do të kenë asnjë plaçkë të dunjasë me vete. Pastaj, Allahu do t’i shpërblejë dhe do t’i marrë në llogari sipas veprave që kanë bërë në jetën e dunjasë. Nëse kanë bërë mirë, do të shpërblehen me të mira, e nëse kanë bërë keq, do të shpërblehen me të këqija.
Njeriu që ka logjikë, kur të mësojë dhe të dijë se Zoti i Patëmeta është Ed-Dejjaan, se Dita e Gjykimit është dita e shpërblimit dhe llogaridhënies, se ai do ta takojë patjetër Allahun atë Ditë, se ai ka për të gjetur atë Ditë para vetes të gjitha veprat e tij, të mira qofshin apo të këqija, atëherë ai do t’i bëjë mirë llogaritë për atë Ditë dhe do të përgatitet për të më së miri.
I zgjuar është ai që i bën gjyqin vetes së tij dhe e merr në llogari atë për aq kohë sa është në këtë botë, ku bëhen veprat dhe ka një afat të caktuar, kurse i paaftë është ai që e lë pas dore veten e tij, vazhdon të zhytet në devijim dhe e pason epshin e tij, deri kur befasisht ta kaplojë pishmanllëku. Diçka të ngjashme me këtë e ka thënë poeti:
“Pasha Allahun, s’ka dyshim që padrejtësia është poshtërsi,
kurse, keqbërësi vazhdon akoma të bëjë padrejtësi
por, te Shpërblyesi në Ditën e Gjykimit do të kthehemi përsëri,
e tek Allahu do të tubohen të gjithë ata që kanë hasmëri.”
Halifeja i drejtë ‘Umer Ibnul-Khattabi – radijAllahu anhu – ka thënë: “Merreni në llogari vetveten, përpara se të merreni në llogari! Peshojini veprat tuaja, përpara se t’u peshohen, ngaqë llogaria juaj nesër ka për të qenë më e lehtë, nëse i merrni vetet tuaja në llogari sot. Zbukurohuni për në shfaqjen më të madhe të veprave tuaja, atë Ditë kur do të shfaqet çdo gjë dhe nuk do të fshihet nga ju asgjë.”
39. E ka transmetuar Imam Ahmedi (3/495), Bukhariu në “El-Edeb El-Mufred” (970), Ibën Ebi Asim në “Es-Sunneh” (514), El-Hakimi (2/437).
40. E ka transmetuar Ibën Ebi Dunja në librin “Muhsabetu En-Nefs” (nr. 2).