el-muhsin
المُحْسِنُ
mirëbërësi
Ky emër nuk është përmendur në Kur'an si emër, por është përmendur si folje, siç është te Fjala e të Lartësuarit:

">﴿وَأَحۡسِن كَمَآ أَحۡسَنَ ٱللَّهُ إِلَيۡكَۖ﴾

“Bëj mirë, siç të ka bërë mirë Allahu ty." [El-Kasas, 77]

Gjithashtu, ka ardhur te Fjala e Tij:

">﴿وَقَدۡ أَحۡسَنَ بِيٓ إِذۡ أَخۡرَجَنِي مِنَ ٱلسِّجۡنِ وَجَآءَ بِكُم مِّنَ ٱلۡبَدۡوِ﴾

“Vërtetë që Ai më bëri mirësi mua kur më nxori nga burgu e juve ju solli këtu nga shkretëtira." [Jusuf, 100]

Gjithashtu, në Sunet ka ardhur pohimi i këtij emri për Allahun e Plotfuqishëm e të Madhërishëm, siç është fjala e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:

إذَا حَكَمْتُمْ فَاعْدِلُوا، وَإذَا قَتَلْتُمْ فَأَحْسِنُوا، فَإنَّ اللهَ مُحْسِنٌ يُحِبُّ الْمُحْسِنِين.

“Kur të gjykoni, tregohuni të drejtë. E kur ta vrisni prenë, vriteni në mënyrën më të mirë, se me të vërtetë që Allahu është Mirëbërës dhe i do mirëbërësit.”

Kuptimi i emrit të Allahut El-Muhsin e ka origjinën te mirësia, begatimi, bujaria, nderimi, mirënjohja, dhurimi dhe dhënia. Mirëbërja është cilësi e pandashme e Allahut të Patëmeta. Çdo gjë që ekziston s’mund të pavarësohet nga Mirësia e Tij, as sa një përpëlitje e syrit, qoftë për krijimin apo për begatimin apo për furnizimin. Thotë i Lartësuari:

">﴿ٱلَّذِيٓ أَحۡسَنَ كُلَّ شَيۡءٍ خَلَقَهُۥۖ وَبَدَأَ خَلۡقَ ٱلۡإِنسَٰنِ مِن طِينٖ٧﴾

“Është pikërisht Ai që bëri në mënyrën më të mirë çdo gjë që krijoi, ndërsa e nisi krijimin e njeriut nga balta." [Es-Sexhdeh, 7]

Thotë i Lartësuari gjithashtu:

">﴿ وَصَوَّرَكُمۡ فَأَحۡسَنَ صُوَرَكُمۡۖ وَإِلَيۡهِ ٱلۡمَصِيرُ٣﴾

“Ai ju formoi juve duke ju dhënë formën më të mirë dhe tek Ai do të ktheheni gjithsesi." [Et-Tegabun, 3]

Mirësia dhe suksesi më i madh është udhëzimi në këtë Fe, çlirimi i zemrës për të qenë vazhdimisht i bindur për Zotin e gjithësisë, të qenit i paluhatshëm në të vërtetën dhe në udhëzim deri në vdekje, derisa kjo të kurorëzohet me nderimin më të madh dhe mirësinë më të shtrenjtë, që është hyrja në Xhenete në Ditën e Gjykimit, si dhe shikimi i Zotit Bujar, të Gjithëmëshirshmit, Mirëbërësit, Dhënësit të të gjitha mirësive. Ne i lutemi Allahut të Patëmeta që të na japë nga bujaria e Tij e madhe dhe mirësia e Tij e pashtershme.

Pastaj, Allahu i Patëmeta dëshiron nga robërit e Tij që ata t’i afrohen Atij duke iu përmbajtur kuptimeve të Emrave të Tij. Kështu që, Ai është i Gjithëmëshirshmi, prandaj Ai i do të mëshirshmit; Ai është më Bujari, prandaj Ai i do bujarët; Ai është Mirëbërësi, prandaj Ai i do ata që bëjnë mirë. Thotë i Lartësuari:

">﴿وَأَحۡسِنُوٓاْۚ إِنَّ ٱللَّهَ يُحِبُّ ٱلۡمُحۡسِنِينَ١٩٥﴾

“Bëni mirë se me të vërtetë që Allahu i do ata që bëjnë mirë!" [El-Bekarah, 195]

Gjithashtu, prej mirëbërjes është edhe mirësia që u bën robërve të Allahut, duke u bërë mirë prindërve, duke i mbajtur lidhjet farefisnore, duke i përmbushur të drejtat e të tjerëve, duke i ndihmuar nevojtarët, duke u ruajtur që të mos i dëmtosh njerëzit, duke u përpjekur për t'u bërë mirë atyre, si dhe mirësi të tjera që mund t’u bësh robërve të Allahut.

Për këtë, Allahu ka premtuar shpërblim të madh në këtë botë dhe në botën tjetër, në shumë ajete Kur'anore. Allahu i Patëmeta i ka përmendur së bashku të dyja këto shpërblime që do të marrin mirëbërësit, në Fjalën e Tij:

">﴿فَ‍َٔاتَىٰهُمُ ٱللَّهُ ثَوَابَ ٱلدُّنۡيَا وَحُسۡنَ ثَوَابِ ٱلۡأٓخِرَةِۗ وَٱللَّهُ يُحِبُّ ٱلۡمُحۡسِنِينَ١٤٨﴾

“Kështu, Allahu ua dha atyre shpërblimin në këtë botë dhe shpërblim më të mirë në botën tjetër. Me të vërtetë që Allahu i do ata që bëjnë mirë." [Aal-'Imran, 148]

Allahu na bëftë neve prej atyre, me Mirësinë dhe Bujarinë e Tij.