en-nuur
النُّورُ
drita, ndriçuesi
Ky emër është përmendur në Kur'anin Fisnik në Fjalën e të Lartësuarit:

">﴿۞ٱلل??َهُ نُورُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضِۚ مَثَلُ نُورِهِۦ كَمِشۡكَوٰةٖ فِيهَا مِصۡبَاحٌۖ ٱلۡمِصۡبَاحُ فِي زُجَاجَةٍۖ ٱلزُّجَاجَةُ كَأَنَّهَا كَوۡكَبٞ دُرِّيّٞ يُوقَدُ مِن شَجَرَةٖ مُّبَٰرَكَةٖ زَيۡتُونَةٖ لَّا شَرۡقِيَّةٖ وَلَا غَرۡبِيَّةٖ يَكَادُ زَيۡتُهَا يُضِيٓءُ وَلَوۡ لَمۡ تَمۡسَسۡهُ نَارٞۚ نُّورٌ عَلَىٰ نُورٖۚ يَهۡدِي ٱللَّهُ لِنُورِهِۦ مَن يَشَآءُۚ وَيَضۡرِبُ ٱللَّهُ ٱلۡأَمۡثَٰلَ لِلنَّاسِۗ وَٱللَّهُ بِكُلِّ شَيۡءٍ عَلِيمٞ٣٥﴾

“Allahu është Drita e qiejve dhe e tokës. Shembulli i dritës së Tij është porsi një kandil i vendosur në një qoshe të errët, e kandili është në një qelq dhe ky qelq ndriçon porsi një yll që shkëlqen, i ndezur prej vajit të pemës së bekuar të ullirit, e cila nuk është prekur vetëm prej rrezeve të perëndimit e as vetëm prej rrezeve të lindjes, ndërsa vaji i saj ndriçon edhe pa e prekur zjarri. Dritë përmbi dritë! Allahu udhëzon drejt Dritës së Tij atë që do Ai. Kështu i sjell Allahu shembujt për njerëzit. Allahu për çdo gjë është i Gjithëditur." [En-Nuur, 35]

Shejkh Abdurr-Rrahman Ibën es-Sa'dij – Allahu e mëshiroftë – e ka sqaruar kuptimin e këtij emri me disa fjalë përmbledhëse dhe ka qartësuar domethëniet e tij. Ai ka thënë: “Drita, si cilësi e Allahut të Lartësuar është dy llojëshe:

Lloji i parë: Drita e Tij konkrete. Ajo është drita madhështore me të cilën e ka përshkruar Veten e Tij. Nëse do largohej perdja nga Fytyra e Tij, rrezatimi i Fytyrës së Tij dhe drita e Madhërisë së Tij do të digjte çdo krijesë që përfshin shikimi i Tij. Kjo dritë nuk mund të përshkruhet ndryshe, vetëm se me këtë shpjegim profetik që mund të përcjellë këtë domethënie madhështore. Asnjë prej krijesave nuk i reziston dot kësaj Drite të Fytyrës së Tij, nëse Allahu do t’ua shfaqte atë dritë. Gjithashtu, sikur Zoti të mos u jepte jetë të përsosur banorëve të Xhenetit, duke i ndihmuar ata për ta shikuar Atë, ata kurrë nuk do të kishin mundur ta shikonin Zotin e Madhërishëm. Të gjitha dritat në qiejt e lartë janë prej dritës së Tij, madje edhe drita e Xheneteve të begata – gjerësia e të cilëve është sa gjerësia e qiejve dhe e tokës, madhësinë e të cilëve nuk e di askush përveç Allahut – është prej dritës së Tij. Kështu, edhe drita e Arshit, Kursijit dhe Xheneteve, është prej Dritës së Tij, po ashtu edhe drita e diellit, hënës dhe yjeve.

Lloji i dytë: Drita e Tij abstrakte. Kjo është drita me të cilën Allahu ka ndriçuar zemrat e Profetëve të Tij, robërve të Tij të sinqertë e të dashur dhe melaikeve të Tij, duke u dhënë atyre dritë për ta njohur Atë dhe për ta dashur Atë. Kjo për arsye se për ta njohur Atë, në zemrat e të afërmve të Tij besimtarë duhet të ketë dritë, e cila është në varësi të njohurive që kanë arritur ata për cilësitë e Madhështisë së Tij dhe në varësi të besimit që kanë ata për Cilësitë e Bukurisë së Tij, ngaqë çdo cilësi e Tij ka ndikim në zemrat e tyre. E me të vërtetë që njohja e Zotit është njohuria më e madhe nga të gjitha njohuritë, sikurse dituria rreth Tij është dituria më fisnike nga të gjitha dituritë. Të gjitha dituritë e dobishme janë dritë në zemra. E si është çështja me këtë dije, nëpërmjet së cilës arrihet njohja e Allahut, e cila është dituria më e mirë e më fisnike, është baza dhe themeli i të gjitha diturive?!”

Atëherë, përderisa Drita është prej emrave të Tij dhe cilësive të Tij, atëherë feja e Tij është dritë, i Dërguari i Tij është dritë, Fjala e Tij është dritë dhe Toka ku Ai do t’i nderojë robërit e Tij është dritë që vezullon. Ajo është drita që shndrit në zemrat e robërve të Tij besimtarë, që del nga gjuhët e tyre dhe shfaqet në fytyrat e tyre. Allahu i Madhëruar e i Lartësuar do t’ua plotësojë atyre këtë dritë në Ditën e Ringjalljes, siç thotë Allahu i Patëmeta:

">﴿نُورُهُمۡ يَسۡعَىٰ بَيۡنَ أَيۡدِيهِمۡ وَبِأَيۡمَٰنِهِمۡ يَقُولُونَ رَبَّنَآ أَتۡمِمۡ لَنَا نُورَنَا وَٱغۡفِرۡ لَنَآۖ إِنَّكَ عَلَىٰ كُلِّ شَيۡءٖ قَدِيرٞ٨﴾

“Drita e tyre do të ndriçojë para tyre dhe nga e djathta e tyre, e ata do të thonë: ‘O Zoti ynë, na e plotëso dritën tonë dhe na fal neve! Me të vërtetë që Ti je i Plotfuqishëm për çdo gjë.’" [Et-Tahrim, 8]