“Jehudëve ua ndaluam (të hanin mishin) e të gjitha kafshëve njëthundrake dhe ua ndaluam dhjamin e lopëve dhe deleve, përveç dhjamit të shpinës dhe të zorrëve, ose dhjamin që është i përzier me eshtra. Me këtë, ne i shpërblyem ata me ndëshkim për shkak të mosbindjes së tyre. Ne, pa dyshim që e mbajmë fjalën!" [El-En’am, 146]
Emri Es-Saadik do të thotë: Ai që e mban premtimin apo kërcënimin e tij, Ai që thotë të vërtetën, për çdo lajm që sjell i Pastri nga çdo mangësi.
Allahu e mbajti premtimin e Tij kur u premtoi robërve të tij fitoren dhe sundimin. Allahu i Lartësuar thotë:
“U ka premtuar Allahu atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë ata sundimtarë në tokë, ashtu siç i bëri sundimtarë ata që ishin para tyre, se do t’i japë pushtet fesë së tyre, të cilën Ai e deshi për ta, si dhe padyshim që ka për ta kthyer më pas frikën e tyre në siguri. Ata më adhurojnë vetëm Mua dhe nuk më shoqërojnë asgjë tjetër në adhurim. Kurse ata që pas të gjitha këtyre, mohojnë (t’i binden Allahut dhe t’i nënshtrohen Atij), atëherë pikërisht ata janë të prishurit." [En-Nuur, 55]
Allahu e mban premtimin që ja ka dhënë robërve të Tij besimtarë, që do t’u japë një fitore të madhe dhe do t’i fusë në Xhenetet e begata.
“E ata thanë: ‘Lavdia i takon vetëm Allahut, i Cili e mbajti premtimin që na e dha dhe na e trashëgoi tokën e Xhenetit që të banojmë në të ku të duam ne. Sa shpërblim të mirë që kanë të bindurit!’" [Ez-Zumer, 74]
Allahu i Patëmeta e mban premtimin dhe nuk e thyen atë. Allahu i Lartësuar thotë:
“Premtimi i Allahu është i vërtetë. E kush është më i vërtetë se Allahu në fjalë?!" [En-Nisa, 122]
Një nga rezultatet e besimit në këtë emër është se ai që ka bërë vepra të mira, nuk ka frikë se mos Allahu i Patëmeta i bën zullum dhe i shkel të drejtat, nuk ka frikë se mos ia humb vlerën ndonjë gjëje dhe se mos bën gjëra të pahijshme apo mos ia humb robit veprën që ai e ka bërë, qoftë ajo edhe sa një grimcë, ngase Allahu i Plotfuqishëm dhe i Madhërishëm ka premtuar – dhe padyshim që Ai e mban premtimin! – se do t’ua japë të plotë shpërblimin atyre që kanë punuar. E përderisa Ai të shpërblen, qoftë edhe për një vepër të mirë që është sa një grimcë dhe nuk ia humb vepruesit shpërblimin e saj, përkundrazi, Ai e shumëfishon shpërblimin për kë të dojë dhe jep nga Vetja e Tij shpërblime shumë të mëdha; atëherë, edhe atë që ka bërë vepra të këqija, Ai do ta shpërblejë duke ia llogaritur vetëm një të keqe. Por, këtë vepër të keqe Ai ia fshin nëse ai pendohet, shpreh keqardhje dhe kërkon falje, apo nëse ai bën vepra të mira, apo nëse sprovohet me fatkeqësi.
“Këta janë ata, të cilëve Ne do t’ua pranojmë veprat e tyre më të mira dhe do t’i falim për të këqijat e tyre që kanë bërë. Këta do të jenë nga banorët e Xhenetit; ky është premtimi i vërtetë, ai që iu është premtuar atyre!" [El-Ahkaf, 16]