el-mutekebbir
المُتَكَبِّرُ
krenari
Ky emër është përmendur vetëm në një vend në Kur`an, e ajo është fjala e Allahut të Lartësuar:

">﴿هُوَ ٱللَّهُ ٱلَّذِي لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ٱلۡمَلِكُ ٱلۡقُدُّوسُ ٱلسَّلَٰمُ ٱلۡمُؤۡمِنُ ٱلۡمُهَيۡمِنُ ٱلۡعَزِيزُ ٱلۡجَبَّارُ ٱلۡمُتَكَبِّرُۚ سُبۡحَٰنَ ٱللَّهِ عَمَّا يُشۡرِكُونَ٢٣﴾

“Ai është Allahu, pos të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë. Ai është Mbreti, i Pastri nga çdo mangësi, i Përsosuri që nuk i ngjitet asnjë e metë, Dhënësi i sigurisë, Dëshmuesi, i Plotfuqishmi, i Lartmadhërishmi, Krenari. I Pastër është Allahu nga ato gjëra që ia shoqërojnë ata!" [El-Hashr, 23]

Emri El-Mutekebbir tregon se Allahu i Patëmeta është i cilësuar me krenari dhe me madhështi. Shkronja (ت) tek emri (المتكبر) nuk ka për qëllim kuptimin e përdorimit dhe ngarkimit me ndonjë detyrë të caktuar që merr emri, porse është për qëllim kuptimi i njëjësimit dhe veçimit.

Pra, ‘el-kibrija’ (madhështia dhe krenaria) është cilësi e Allahut të Patëmeta, ashtu siç i ka hije Atij e askujt tjetër.
Katadeja ka thënë: “El-Mutekebbir është Ai që krenaria e Tij e mban larg çdo gjëje të keqe.”

Po ashtu ka thënë: “Është Ai që krenaria e Tij e mban larg veprave të këqija.”
Po ashtu ka thënë: “Është Ai që krenaria e Tij e mban larg çdo sherri.”
Mukatili ka thënë: “Është Ai që madhështia e Tij e mban larg nga çdo gjë e keqe.”
Ebu Is’hak Es-Subej’i ka thënë: “Është Ai që krenaria e Tij e mban larg të bërit padrejtësi robërve të Tij.”
Mejmun Ibën Mihran ka thënë: “Është Ai që krenaria e Tij e mban larg çdo të keqeje e ligësie, prej Tij vijnë vetëm mirësitë.”

Të gjitha këto mund të përmblidhen në një shpjegim: që ky emër, El-Mutekebbir, tregon se i Lartë është Allahu që të ketë cilësitë e krijesave. I Madh është Allahu i Patëmeta që të ngjasojë me krijesat apo krijesat t’i ngjajnë atij. I Lartësuar është Allahu përmbi çdo mangësi dhe e metë. Pra, Ai është El-Mutekebbir, Krenari që nuk i afrohet asnjë sherri, ligësie, padrejtësie dhe asnjë lloj mangësie. Ky emër, përmban pohimin e përsosmërisë së Allahut të Patëmeta, në emrat e Tij, në cilësitë e Tij dhe në veprat e Tij.

Kurse, robi i krijuar, pozita që meriton ai është në robërinë, nënshtrimin, përuljen, dorëzimin, përkuljen dhe sexhden për të Madhin, të Lartësuarin, të Madhërishmin, Poseduesin e madhështisë. Ndoshta te ky emër qëndron një nga sekretet përse përmendet Allahu me tekbir (fjala Allahu Ekber – Allahu është më i Madhi), kur përkulemi në ruku dhe në sexhde, si dhe përmendet krenaria dhe madhështia e Tij, kur jemi në ruku dhe sexhde.

Ama, nëse robi e mban veten lart dhe tregohet mendjemadh, sidomos ndaj realizimit të qëllimit, për të cilin ai është sjellë në ekzistencë dhe është krijuar – që është pikërisht adhurimi i Allahut, njëjësimi i Tij me veçim, duke iu nënshtruar, përulur dhe përgjëruar vetëm Atij –, atëherë Allahu do ta ndëshkojë atë me ndëshkimin më të madh dhe do ta poshtërojë atë në dynja dhe ahiret.

Allahu i Patëmeta ka përmendur në disa vende të ndryshme në Librin e Tij të lavdishëm shembuj të personave dhe popujve që u treguan mendjemëdhenj dhe e mbajtën veten lart. Gjithashtu, ka treguar ndëshkimin që i zuri ata në dynja si dhe ndëshkimin që do t’i gjejë ata në botën tjetër, me qëllim që të bëhet e qartë rruga e kriminelëve. Gjithashtu, që përmendja e gjendjes së tyre të shërbejë si mësim për ata që duan të marrin mësim dhe si këshillë për ata që duan të marrin këshillë.

E lusim Allahun e Patëmeta, që të na bëjë të nënshtruar për Madhërinë e Tij dhe të na ruajë nga rruga e mendjemëdhenjve. Allahu i Madhëruar e i Lartësuar, i Vetmi, Ai është Begatuesi dhe Ndihmuesi.