el-uaarith
الوَارِثُ
ai që mbetet mbas shkatërrimit të krijesave, trashëguesi i gjithçkaje
Ky emër është përmendur në tre vende në Kur'anin fisnik, e në të tre ato vende ka ardhur në shumës. Ato janë:
Fjala e të Lartësuarit:

">﴿وَإِنَّا لَنَحۡنُ نُحۡيِۦ وَنُمِيتُ وَنَحۡنُ ٱلۡوَٰرِثُونَ٢٣﴾

“S'ka dyshim se vetëm Ne e japim jetën dhe vdekjen, e vetëm Ne jemi Trashëguesit e gjithçkaje." [El-Hixhr, 23]

Gjithashtu, është Fjala e të Lartësuarit:

">﴿وَزَكَرِيَّآ إِذۡ نَادَىٰ رَبَّهُۥ رَبِّ لَا تَذَرۡنِي فَرۡدٗا وَأَنتَ خَيۡرُ ٱلۡوَٰرِثِينَ٨٩﴾

“Përkujto kur Zekerija i thirri Zotit të tij e i tha: “O Zoti im, mos më lër të vetëm, pa pasardhës, se pa dyshim që Ti je më i Miri i trashëguesve!" [El-Enbija, 89]

Gjithashtu, është Fjala e të Lartësuarit:

">﴿وَكَمۡ أَهۡلَكۡنَا مِن قَرۡيَةِۢ بَطِرَتۡ مَعِيشَتَهَاۖ فَتِلۡكَ مَسَٰكِنُهُمۡ لَمۡ تُسۡكَن مِّنۢ بَعۡدِهِمۡ إِلَّا قَلِيلٗاۖ وَكُنَّا نَحۡنُ ٱلۡوَٰرِثِينَ٥٨﴾

“Sa e sa vendbanime Ne i kemi shkatërruar, kur popujt e tyre i kaluan kufijtë në jetën që bënin! Ato pra janë vendbanimet e tyre dhe pak njerëz, mbas atyre, kanë banuar në to. E me të vërtetë që Ne jemi Trashëguesit e gjithçkaje." [El-Kasas, 58]

Emri El-Uaarith do të thotë: Ai që mbetet pas shkatërrimit të krijesave, ngaqë çdokush – përveç Atij – do të marrë fund, e çdokush – përveç Atij – do të shkatërrohet. Pra, Allahu i Madhëruar e i Lartësuar është i Gjalli që nuk vdes kurrë, është Ai që mbetet e nuk mbaron kurrë, e tek Ai është kthimi dhe përfundimi, tek Ai është fundi dhe destinacioni. Mbretërit dhe mbretëritë e tyre shkatërrohen, ndërsa i Lartësuari i trashëgon të gjitha krijesat, ngaqë Ai mbetet, ndërsa ata zhduken. Ai është i Përhershëm, kurse ata mbarojnë.

Sa i përket Fjalës së Tij:

">﴿وَإِنَّا لَنَحۡنُ نُحۡيِۦ وَنُمِيتُ وَنَحۡنُ ٱلۡوَٰرِثُونَ٢٣﴾

“S'ka dyshim se Ne e japim jetën dhe vetëm Ne e sjellim vdekjen, e Ne jemi Trashëguesit e gjithçkaje." [El-Hixhr, 23]

Kuptimi i saj është: Ne e trashëgojmë Tokën dhe çfarë ka në të, duke i vdekur të gjithë ata e nuk mbetet i gjallë askush tjetër, përveç Nesh, atëherë kur të vijë ai çast, ngaqë çdo gjë zhduket dhe vdes, ndërsa do të ngelet Allahu, i Vetmi dhe i Gjalli që nuk vdes kurrë.

Ky ajet, i tërheq vëmendjen atij që dynjaja e ka angazhuar dhe ia ka marrë mendjen, duke e larguar atë nga realizimi i qëllimit, për të cilin ai është krijuar dhe ka ardhur në ekzistencë; se dynjaja dhe çdo gjë në të, prej fillimit e deri në fundin e saj, do të largohet nga pronarët e tyre dhe ata gjithashtu do të largohen prej saj. Më pas, Allahu i Plotfuqishëm e i Madhërishëm do ta trashëgojë tokën dhe çfarë ka në të. Pastaj, Ai do t'i kthejë ata sërish për t'i shpërblyer sipas veprave që kanë punuar në të.

Në hytben e fundit që ‘Umer Ibën ‘Abdul-‘Aziz ka mbajtur, pasi që ka falënderuar dhe lavdëruar Allahun, ka thënë:

“Më pas them: Me të vërtetë që ju nuk jeni krijuar kot dhe nuk jeni lënë pa përgjegjësi! Vërtet që për ju do të ketë një vendtakim ku Allahu do të zbresë për të gjykuar dhe për të bërë ndarje midis jush. Kështu që, ka dështuar dhe është shkatërruar ai që ka dalë nga Mëshira e Allahut dhe është privuar nga Xhenneti, gjerësia e të cilit është sa qiejt dhe toka. A nuk e dini ju se askush nuk është i sigurt për të nesërmen, përveç atij që ka bërë kujdes dhe i është frikësuar të tashmes, ai që e ka shitur të përkohshmen për të arritur atë që është e përhershme, ka shitur të paktën për të arritur të shumtën, si dhe ka shitur frikën për të arritur sigurinë?! A nuk e shikoni se ju jeni pasardhës të atyre që janë shuar, pastaj do të vijnë mbas jush të tjerë që do të mbesin derisa të ktheheni të gjithë te më i Miri Trashëgues?!
Pastaj, ju çdo ditë po përcillni një të vdekur që po shkon tek Allahu i Plotfuqishëm dhe i Madhërishëm. Ai e kreu jetën e tij dhe mbaroi exheli i tij, derisa ju po e lëshoni brenda një grope në tokë, brendësia e së cilës nuk është e rehatshme dhe as e shtruar. Ai u nda nga njerëzit që i donte dhe tani ka hyrë në gjirin e tokës dhe po përballet me llogarinë. Ai është peng i veprës së tij; nuk i hyn më në punë ajo që e ka lënë mbrapa, por është shumë nevojtar për veprat që ka përgatitur për atë që e pret përpara.
Andaj, o robërit e Allahut, frikësojuni Allahut përpara se të përfundojnë afatet që Ai i ka caktuar për ju dhe përpara se t’ju vijë vdekja.”

Pastaj, ‘Umer Ibn Abdul-Azizi e mbuloi fytyrën me cepin e gunës së tij dhe qau, e bashkë me të qanë edhe ata që ishin të pranishëm. Allahu i Lartësuar pastë mëshirë për të!