el-kaahir
الْقَاهِرُ
nënshtruesi
el-kahhaar
القَهَّارُ
nënshtruesi absolut mbi çdo gjë
Emri El-Kahhaar është përmendur në gjashtë vende në Kur`an, kurse emri El-Kaahir është përmendur në dy vende, që të dyja janë në suren El-En’am. Ato të dyja janë Fjalët e Allahut të Lartësuar:

">﴿وَهُوَ ٱلۡقَاهِرُ فَوۡقَ عِبَادِهِۦۚ وَهُوَ ٱلۡحَكِيمُ ٱلۡخَبِيرُ١٨﴾

“Pra, Ai është Nështruesi mbi robërit e tij. Ai është Gjykatësi i Urtë, i Mirëinformuari." [El-En’am, 18]

Po ashtu, edhe fjala tjetër e Tij, të Lartësuarit:

">﴿وَهُوَ ٱلۡقَاهِرُ فَوۡقَ عِبَادِهِۦۖ وَيُرۡسِلُ عَلَيۡكُمۡ حَفَظَةً﴾

“Pra, Ai është Nënshtruesi mbi robërit e Tij dhe dërgon mbi ju rojtarë..." [El-En’am, 61]

Emri El-Kahhaar është në shkallën sipërore të emrit El-Kaahir. Kuptimi i këtyre dy emrave është: Ai që ka nënshtruar të gjitha gjërat që ekzistojnë dhe të gjitha krijesat i janë nënshtruar Atij. Të gjitha materiet dhe substancat i janë përulur fuqisë dhe vullnetit të Tij, qofshin ato në botën lartë apo në botën poshtë. Kështu që, nuk ndodh diçka apo nuk qëndron diçka vetëm se me lejen e Tij; çfarë do Ai, bëhet, e çfarë nuk do Ai, nuk bëhet. Të gjitha krijesat janë nevojtare për Allahun dhe janë të pafuqishme. Ato nuk posedojnë për veten e tyre as dëm, as dobi, nuk posedojnë as të mirën, as të keqen.
Fakti që Allahu i Madhëruar e i Lartësuar është El-Kahhaar (Nënshtruesi Absolut), detyrimisht kuptohet nga ky emër se jeta e Tij është e përsosur, fuqia e Tij është e përsosur dhe aftësia e Tij është e përsosur.

Emri i Allahut El-Kahhaar, në të gjitha rastet që ka ardhur në Kur`an, ka ardhur përkrah emrave Allah dhe El-Uaahid. E kjo llogaritet si një nga dëshmitë e Teuhidit të Allahut, është nga argumentet se Ai i vetëm e meriton adhurimin dhe se ky emër e shpall të pavlefshëm shirkun dhe bërjen ortakë e të barabartë Allahut.
Prej tyre është fjala e Allahut të Lartësuar:

">﴿قُلۡ مَن رَّبُّ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضِ قُلِ ٱللَّهُۚ قُلۡ أَفَٱتَّخَذۡتُم مِّن دُونِهِۦٓ أَوۡلِيَآءَ لَا يَمۡلِكُونَ لِأَنفُسِهِمۡ نَفۡعٗا وَلَا ضَرّٗاۚ قُلۡ هَلۡ يَسۡتَوِي ٱلۡأَعۡمَىٰ وَٱلۡبَصِيرُ أَمۡ هَلۡ تَسۡتَوِي ٱلظُّلُمَٰتُ وَٱلنُّورُۗ أَمۡ جَعَلُواْ لِلَّهِ شُرَكَآءَ خَلَقُواْ كَخَلۡقِهِۦ فَتَشَٰبَهَ ٱلۡخَلۡقُ عَلَيۡهِمۡۚ قُلِ ٱللَّهُ خَٰلِقُ كُلِّ شَيۡءٖ وَهُوَ ٱلۡوَٰحِدُ ٱلۡقَهَّٰرُ١٦﴾

“Thuaj: Kush është Zoti i qiejve dhe i tokës? Thuaj: Allahu! Thuaj: A keni marrë për mbrojtës të tjerët në vend të Tij, të cilët nuk mund t’i sjellin vetes as dëm, as dobi? Thuaj: A janë të njëjtë i verbëri me atë që sheh? Apo a janë njësoj errësirat dhe drita? Apo ata i kanë bërë Allahut ortakë, të cilët krijojnë si krijimi i Tij, rrjedhimisht krijimet u janë pështjelluar atyre (se cili është krijim i Allahut dhe cili është krijim i ortakëve që i kanë bërë ata)!? Thuaj: Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është i Vetmi,
Nënshtruesi i gjithçkaje!" [Err-Rra’d, 16]

Shejkh Abdur-Rahman Ibën Sa’dij – Allahu e mëshiroftë – në shpjegimin e këtij ajeti, duke e sqaruar aspektin e argumentit që përmban emri i Allahut El-Kaahir për refuzimin e shirkut, ka thënë:

“Vetia e të qenurit unik dhe nënshtrues i takon Allahut, të Vetmit. Për çdo krijesë ka një krijesë tjetër mbi të që e nënshtron atë, pastaj sipër këtij nënshtruesi ka një nënshtrues tjetër që është më i lartë se ai, derisa të përfundojë ky nënshtrim tek Ai i Vetmi, Nënshtruesi Absolut. Pra, nënshtrimi dhe Teuhidi janë dy gjëra të përbashkëta që nuk ndahen kurrë prej Tij. Pra, me këtë argument logjik dhe nënshtrues, na bëhet e qartë se çdo gjëje tjetër që njerëzit i luten në vend të Allahut, nuk ka krijuar asnjë krijesë, e për këtë arsye, adhurimi që i dedikohet asaj gjëje në vend të Allahut, është adhurim i kotë dhe i padrejtë.”

Dhe me këtë sqarim, bëhet e qartë ndërlidhja e Teuhidit dhe Imanit me emrin e Allahut El-Kahhaar dhe se pohimi që Allahu është i Vetmi Nënshtrues Absolut, obligon pohimin që vetëm Ai duhet të veçohet me adhurim, rrjedhimisht, nga kjo kuptohet edhe kotësia e shirkut.

Si na qenka i barabartë ai që është krijuar nga dheu, me Zotin e zotërinjve? Si na qenkan të barabarta krijesat e nënshtruara, me Allahun, të Vetmin dhe Nënshtruesin Absolut? I Lartë është Allahu nga shirku që i bëjnë ata, si dhe i Pastër është Ai nga përshkrimet që ia bëjnë ata!