“Edhe popullit të Themudit u dërguam vëllain e tyre, Salihun, i cili tha: “O populli im, adhuroni Allahun se ju nuk keni të adhuruar tjetër me të drejtë, përpos Atij, Ai i Cili ju nxorri juve nga dheu, ju bëri juve mëkëmbës në të. Pastaj, pendohuni tek Ai se me të vërtetë që Ai është afër dhe përgjigjet." [Hud, 61]
Ka transmetuar Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe të tjerë përveç tyre nga Selman El-Farisij – Allahu qoftë i Kënaqur me të – se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:
“Vërtet që Allahu është i Turpshëm dhe Bujar. Ai turpërohet kur i lutet njeriu me duart e ngritura lartë, që t'ia kthejë ato bosh.”
Ndërsa, në hadithin që vërteton Zbritjen e Allahut në qiellin e dynjasë, i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:
“Zoti ynë i Madhëruar e i Lartësuar zbret çdo natë në qiellin e dynjasë, kur ka mbetur një e treta e fundit të natës, e thotë: ‘Kush më lutet Mua, që t'i përgjigjem! Kush më kërkon Mua, që t'i jap! Dhe kush më kërkon falje, që ta fal!’”
Një prej rezultateve të besimit në emrin e Allahut El-Muxhiib është se forcohet bindja që ka robi tek Allahu, rritet shpresa e tij tek Ai, shtohet afrimi tek Ai dhe shtohet lakmia për ato që ofron Ai. Gjithashtu, largohet nga robi sëmundja e humbjes së shpresës nga mëshira e Tij dhe sëmundja e dëshpërimit se nuk do ta arrijë faljen e Tij.