i plotfuqishmi suprem, i cili posedon fuqinë absolute
Emri El-Aziiz është përmendur në Kur`anin fisnik në njëqind vende përafërsisht.
Kuptimi i emrit El-Aziiz është: Ai të Cilit i përkasin të gjitha kuptimet e fjalës el-‘izzeh (fuqia), siç ka thënë i Pastri nga çdo mangësi:
">﴿إِنَّ ٱلۡعِزَّةَ لِلَّهِ جَمِيعًاۚ﴾
“Me të vërtetë që e gjitha fuqia el-‘izzeh i përket vetëm Allahut!" [Junus, 65]
Pra, është Ai të Cilit i përkasin të gjitha kuptimet e fuqisë el-‘izzeh. Fjala arabe el-‘izzeh ka tre kuptime, të gjitha i përkasin Allahut të Plotfuqishëm e të Madhërishëm dhe janë të plota e të përkryera.
Kuptimi i parë: fjala el-‘izzeh me kuptimin e fuqisë. Me këtë kuptim madhështor cilësohet Allahu dhe Atij nuk mund t’i atribuohet cilësia e fuqisë që kanë krijesat, sado madhështore që të jenë ato. Allahu i Lartësuar ka thënë:
“Vërtet që Allahu është Furnizuesi, Ai që posedon fuqi të madhe, i Pathyeshmi." [Edh-Dharijat, 58]
Kuptimi i dytë: fjala el-‘izzeh me kuptimin e vetëmjaftueshmërisë, ngaqë Ai është i Pasuri absolut me Qenien e Tij dhe nuk ka nevojë për asnjë. Robërit nuk mund të arrijnë assesi që t’i bëjnë dëm Atij me ndonjë lloj dëmi dhe nuk mund të arrijnë assesi që t’i bëjnë dobi me ndonjë lloj dobie, por, përkundrazi, është Ai që e sjell dëmin dhe dobinë, është Ai që jep dhe privon. I pastër është Allahu i Patëmeta nga mundësia që dikush ta mposhtë apo ta mundë Atë, i Pastër nga çdo mangësi dhe dobësi tjetër që nuk i ka hije Madhërisë dhe Lartësisë së Tij, nga çdo gjë tjetër që bie ndesh me përsosmërinë e Tij, si dhe nga mundësia që Ai të bëjë të barabartë dhe ortakë për Veten e Tij!
“I Pastër është Zoti yt, Zoti i fuqisë absolute, nga ajo që ia përshkruajnë ata! Selami qoftë për të Dërguarit. I gjithë lavdërimi dhe falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve." [Es-Saffat, 180]
Kuptimi i tretë: fjala el-‘izzeh me kuptimin e mposhtjes dhe triumfit mbi të gjitha krijesat që ekzistojnë. Të gjitha këto krijesa janë të mposhtura para Allahut, janë të nënshtruara para madhështisë së Tij dhe të bindura ndaj vullnetit të Tij. Fatet e të gjitha krijesave janë në Dorën e Tij. Çdo gjë që lëviz dhe që vepron, lëviz dhe vepron me ndihmën, fuqinë dhe lejen e Tij; çfarë do Allahu, ndodh dhe bëhet; e çfarë nuk e do Allahu, nuk ndodh dhe nuk bëhet. Nuk ka ndryshim dhe fuqi vetëm se me lejen e Allahut.