“Mbështetuni tek Allahu se Ai është Mbrojtësi juaj. Sa Mbrojtës i Mirë e sa Ndihmues i Mirë që është Ai!" [El-Haxh, 78]
Fjala e Tij:
">﴿وَكَفَىٰ بِرَبِّكَ هَادِيٗا وَنَصِيرٗا٣١﴾
“Mjafton Zoti yt si Udhëzues dhe Ndihmues." [El-Furkan, 31]
Emri El-Gaalib do të thotë: Ai që bën ç'të dojë; asgjë nuk mund ta mposhtë Atë; askush nuk mund ta kthejë gjykimin e Tij; askush nuk mund ta kthejë atë që Ai ka caktuar apo ta pengojë atë që Ai ka vendosur.
Ka thënë El-Kurtubij – Allahu e mëshiroftë: “Çdonjëri që është i ngarkuar me urdhëresat e Sheriatit, e ka obligim që ta dijë se Allahu i Patëmeta e i Lartësuari, është absolutisht Ai që vendos dhe bën ç’të dojë. Kështu që, kush i mbështetet Atij, ai do të jetë triumfuesi, edhe sikur ta kërkojnë të gjitha krijesat e tokës. Ka thënë i Lartësuari:
“Allahu ka shkruar (në Leuhi Mahfudh): Padyshim që do të triumfoj gjithsesi Unë dhe të Dërguarit e Mi." [El-Muxhadileh, 21]
E kush ia kthen shpinën Allahut të Lartësuar dhe i mbështetet dikujt tjetër përveç Tij, do të jetë i mposhtur dhe do të bjerë në kurthet e shejtanit.”
Ndërsa, emri En-Nesiir do të thotë: Ai që ka marrë përsipër ndihmën e robërve të Tij dhe që ka garantuar ndihmën dhe mbrojtjen e të dashurve të Tij. Ndihma nuk mund të vijë vetëm se prej Tij dhe as nuk realizohet përveçse me mirësinë e Tij. Kështu që, i ndihmuar është ai që Allahu e ka ndihmuar, ngaqë nuk ka ndihmues tjetër për njerëzit, përveç Atij dhe as nuk ka mbrojtës tjetër, përveç Atij. Thotë i Lartësuari:
“Nëse Allahu ju ndihmon juve, nuk ka kush që ju mposht, e nëse Ai ju braktis, kush do të mund t'ju ndihmojë juve mbas Tij?!" [Aal-'Imran, 160]
Allahu i Patëmeta, në shumë vende në Kur'anin fisnik ka përmendur mirësinë e Tij për Profetët dhe për robërit e Tij të dashur, me ndihmë dhe mbështetje për ta. Thotë i Lartësuari:
“Me të vërtetë që Ne do t'i ndihmojmë patjetër të Dërguarit tanë dhe ata që kanë besuar në jetën e kësaj bote, si dhe në Ditën kur do të dalin dëshmitarët." [Gafir, 51]
Kjo e folur u drejtohet besimtarëve, atyre që e kanë realizuar imanin si nga ana e jashtme, ashtu edhe nga ana e brendshme, se ata do të jenë të ndihmuarit dhe se përfundimi i lavdishëm u takon atyre në dynja dhe në ahiret.
Prandaj, nëse besimtarët nuk përpiqen për realizimin e imanit dhe nuk i ndërmarrin shkaqet e triumfit kundër armiqve, atëherë ky triumf nuk do të realizohet, por përkundrazi armiqtë do t’u vërsulen atyre për shkak të gjynaheve dhe neglizhencës së tyre.
Gjithashtu, duhet patjetër që të kthehemi në mënyrën më të mirë tek Ai që ka ndihmën në Dorën e Tij, ngaqë Allahu i Plotfuqishëm e i Madhërishëm është Ruajtësi i atij që kthehet tek Ai dhe i mjafton atij që i mbështetet Atij. E sa Mbrojtës i Mirë e sa Ndihmues i Mirë që është Ai!