“...dhe kjo ua shtoi atyre besimin dhe ata thanë: Neve na mjafton Allahu, Ai është Kujdestari më i mirë!" [Aal-Imran, 173]
Emri El-Kefiil do të thotë: Ai që përkujdeset për çështjet e të gjitha krijesave, Kujdestari i tyre, i Cili ushqen dhe furnizon të gjitha krijesat. Duke u bazuar te kjo, kush është i sinqertë me Allahun në lidhje me këtë emër dhe është i kënaqur me Allahun që Ai të jetë Kujdestari i tij, atëherë Allahu do ta ndihmojë atë që t’i përmbushë nevojat e tij dhe do t’ia lehtësojë çështjet andej nga ai nuk e pret.
Emri El-Uekiil do të thotë: Kujdestari i mjaftueshëm.
Kjo përkujdesje është dy llojesh: e përgjithshme dhe e veçantë.
Përkujdesja e përgjithshme:
Për këtë është argument Fjala e Allahut të Lartësuar:
">﴿وَهُوَ عَلَىٰ كُلِّ شَيۡءٖ وَكِيلٞ١٠٢﴾
“...e Ai është Kujdestar mbi çdo gjë." [El-En’am, 102]
Po ashtu, është Fjala tjetër e Tij:
">﴿وَٱللَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَيۡءٖ وَكِيلٌ١٢﴾
“...e Allahu është Kujdestar mbi çdo gjë." [Hud, 12]
Që do të thotë: është Ai që ka marrë përsipër furnizimin e të gjitha krijesave dhe ushqimin e përditshëm të tyre. Është Ai që përkujdeset për sistemimin dhe kontrollimin e të gjitha çështjeve të gjallesave që ekzistojnë.
Përkujdesja e veçantë:
Argument për këtë është Fjala e Allahut të Lartësuar:
“...dhe ata thanë: Neve na mjafton Allahu, Ai është Kujdestari më i mirë!" [Aal-Imran, 173]
Që do të thotë: Mjaftuesi më i mirë për atë që kërkon strehim tek Ai, Mbrojtësi më i mirë për atë që kërkon mbrojtjen e Tij. Kjo përkujdesje është e veçantë për robërit e Tij besimtarë, ata që i mbështeten Atij dhe e marrin atë për Kujdestar.
Të mbështetesh vetëm në Allahun, është baza e të gjitha gradave të fesë (Islami, Imani dhe Ihsani). Pozita që ka mbështetja në Allahun tek ato grada, është sikur pozita që ka trupi për kokën. Ashtu si koka që s’mund të qëndrojë pa trupin, po kështu edhe imani dhe gradat e imanit dhe veprat e tij nuk mund të qëndrojnë ndryshe, vetëm se mbi trungun e mbështetjes në Allahun.