“A nuk është Allahu Ai që u mjafton robërve të vet?! Ata të frikësojnë ty me ata (zotra) të tjerë përveç Tij. E atë që e devijon Allahu, nuk ka për të patur udhëzues." [Ez-Zumer, 36]
El-Hasiib është El-Kaafij, Ai që ju mjafton robërve të Tij për të gjitha gjërat e fesë dhe të dynjasë që ju interesojnë atyre. Ai që ua lehtëson atyre çdo gjë që kanë nevojë ata. Ai që largon prej tyre çdo gjë që ata e urrejnë.
Nga kuptimet e emrit El-Hasiib, është se Ai është Ruajtësi absolut i çdo gjëje që kanë punuar ata. Allahu e ka llogaritur atë, kurse ata e kanë harruar. I Lartësuari ka dije të përpiktë për atë gjë. Kështu, Allahu e ka dalluar veprën e mirë nga e keqja, veprën e dëlirë nga e fëlliqura. Ai e di se çfarë shpërblimi meritojnë ata dhe sasinë e sevapeve apo ndëshkimeve që u takon atyre.
El-Kaafij është Ai që u mjafton krijesave për çdo gjë që i brengos ata dhe çdo gjë është në Dorën e Tij.
Mjaftueshmëria e Tij për ta është dy llojesh: e përgjithshme dhe e veçantë.
Mjaftueshmëria e përgjithshme, është se Allahu i Lartësuar u mjafton të gjitha krijesave, është Ai që i ka sjellë në ekzistencë ata, i furnizon dhe përgatit çdo gjë për të cilën ata janë krijuar, u ofron robërve të gjitha shkaqet që u duhen atyre që të jenë pa nevoja dhe të jenë të pasur, si dhe i ushqen dhe u jep të pinë.
E veçanta, është mjaftueshmëria e Tij për ata qe mbështeten tek Ai; Ai ka marrë përsipër që ta rregullojë gjendjen e robërve të Tij të devotshëm.
“Kushdo që mbështetet në Allahun, Ai i mjafton atij." [Et-Talak, 3]
Do të thotë: është Ai që i mjafton robit për të gjitha çështjet e fesë dhe të dunjasë. E kur robi të mbështetet në Zotin e tij ashtu siç duhet, duke pasur mbështetje të fortë e të plotë me zemër te Zoti i tij, në arritjen e dobive dhe largimin e dëmeve nga vetja e tij, duke pasur besim të thellë dhe mendim të mirë për Zotin e tij, ai ka për të arritur majftueshmërinë e plotë. Allahu do ta përmirësojë gjendjen e tij dhe do ta bëjë të qëndrueshëm në fjalët dhe veprat e tij; Ai do t’i mjaftojë atij për brengat që ka dhe do ta çlirojë nga hallet e tij.
Dikush nga Selefët ka thënë: "Allahu i Lartësuar, shpërblimin e çdo vepre e ka bërë sipas llojit të veprës dhe shpërblimin e mbështetjes tek Ai e ka bërë të njëjtë me mjaftueshmërinë e Tij për robin e Tij. Prandaj ka thënë:
“Kushdo që mbështetet në Allahun, Ai i mjafton atij."[Et-Talak, 3]
E nuk ka thënë Allahu: “atij do t’i japim kaq e kaq shpërblime”, siç ka thënë për veprat, por përkundrazi, Ai e bëri Veten e Tij të Mjaftueshëm dhe Kujdestar për robin që i mbështet Atij. Pra, nëse robi i mbështetet Allahut të Lartësuar ashtu siç duhet, edhe sikur kundër tij të ngrenë kurthe qiejt, toka dhe çdo gjë që gjendet në to, prapëseprapë Allahu do t’i japë rrugëzgjidhje atij, do t’i mjaftojë dhe do ta ndihmojë atë.
Lidhja e mjaftueshmërisë me mbështetjen është prej lidhjes së shkaqeve me pasojat e tyre. Pra, Allahu i Plotfuqishëm dhe i Madhërishëm, i mjafton robit që beson dhe i mbështetet Atij dhe i bën shkaqet që të gjejë strehimin tek Ai, gjatë fatkeqësive dhe nevojave të tij. Sa më shumë që robi e shton mendimin e mirë për Allahun, shpresën për atë që të jep Ai dhe është i sinqertë në mbështetjen e tij tek Allahu, atëherë kurrë s’ka për ta zhgënjyer Allahu shpresën e tij.