el-ueduud
الوَدُودُ
ai që ka dashuri të madhe për krijesat e tij
Ky emër është përmendur dy herë në Kur`an:

E para: në fjalën e Tij, të Lartësuarit:

">﴿وَٱسۡتَغۡفِرُواْ رَبَّكُمۡ ثُمَّ تُوبُوٓاْ إِلَيۡهِۚ إِنَّ رَبِّي رَحِيمٞ وَدُودٞ٩٠﴾

“Dhe kërkoni falje Zotit tuaj, pastaj pendohuni tek Ai. Vërtet që Zoti im është Mëshirëplotë, Ai ka shumë dashuri." [Hud, 90]

E dyta: në fjalën e Tij, të Lartësuarit:

﴿إِنَّهُۥ هُوَ يُبۡدِئُ وَيُعِيدُ١٣ وَهُوَ ٱلۡغَفُورُ ٱلۡوَدُودُ١٤﴾

“Me të vërtetë, Ai krijon prej hiçit dhe përsëri e kthen atë dhe Ai është Falësi i madh, Ai që ka shumë dashuri.” [El-Buruxh, 13-14]

Kuptimi i emrit El-Ueduud është: Ai që i do Pejgamberët e Tij, të Dërguarit e Tij dhe ndjekësit e tyre, si dhe ata e duan Atë. Pra, Ai është më i dashur tek ata se çdo gjë tjetër. Zemrat e tyre janë të mbushura me dashuri për Të.

Shejkh Abdur-Rrahman es-Sa’dij – Allahu e mëshiroftë – në një ese madhështore që ka bërë për sqarimin e këtij emri dhe domethëniet e tij, ka thënë: “El-Ueduud do të thotë: Ai të Cilin krijesat e Tij e duan absolutisht shumë, për shkak të cilësive të Tij të bukura, për mirësitë e Tij të bollshme, për butësinë e Tij të fshehtë, si dhe për begatitë e Tij të dukshme e të padukshme. Pra, El-Ueduud është Ai që ka shumë dashuri të madhe, po ashtu ka kuptimin e Atij që të tjerët e duan absolutisht shumë. Ai i do robërit e Tij të dashur e të dëlirë, e po ashtu ata e duan Atë. Pra, El-Ueduud është Ai i Cili i do ata dhe ka vendosur dashuri në zemrat e tyre. Kur ata ta duan Atë, edhe Ai do t’i dojë ata me një dashuri tjetër, si shpërblim për dashurinë e tyre.

Kështu që, çdo e mirë është falë Atij. Ai ka vendosur të gjitha shkaqet që Ai të bëhet i dashur tek ata; Ai i fiton zemrat e tyre dhe i bën ato që të priren natyrshëm për ta dashur Atë. Ai ua bëri të dashur atyre përmendjen e cilësive të Tij, që kanë kuptimet më të gjera, më madhështore dhe më të bukura, të cilat i fitojnë zemrat e pastra dhe të drejta, ngaqë zemrat dhe shpirtrat e drejtë janë të prirë me natyrshmëri që ta duan përsosmërinë.”

Kur robi të mësojë se Zoti i tij – i Pastri nga çdo mangësi – është Ai që ka dashuri të madhe, Ai që i do të dashurit e Tij, i do ata që i binden Atij, i do besimtarët e devotshëm, i do durimtarët që mbështeten tek Ai, i do ata që pendohen dhe që pastrohen, i do ata që thonë të vërtetën dhe bëjnë vepra të mira, i do të gjithë ata që i binden Atij; kurse, nga ana tjetër, Ai nuk i do zullumqarët, qafirët, nuk i do tradhtarët dhe ata që e teprojnë, nuk i do arrogantët, mendjemëdhenjtë, atëherë robi e ka detyrë që t’i bindet urdhrit të Tij, të bëjë atë që do Ai dhe është i kënaqur me të, që janë fjalët e sakta dhe veprat e mira. Robi duhet t’i afrohet Atij duke i kryer urdhrat e Tij dhe duke iu shmangur ndalesave të Tij, të dojë atë që do Ai, qofshin fjalë apo vepra; t’i dojë fjalët e Tij – të Pastrit nga çdo mangësi; ta dojë të Dërguarin e Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe Sunetin e tij, si dhe të përpiqet që ta pasojë të Dërguarin. Me të gjitha këto arrihet dashuria e Allahut.
I Lartësuari ka thënë:

">﴿قُلۡ إِن كُنتُمۡ تُحِبُّونَ ٱللَّهَ فَٱتَّبِعُونِي يُحۡبِبۡكُمُ ٱللَّهُ وَيَغۡفِرۡ لَكُمۡ ذُنُوبَكُمۡۚ وَٱللَّهُ غَفُورٞ رَّحِيمٞ٣١﴾

“Thuaj: Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që t’ju dojë Allahu juve dhe t’ua falë mëkatet tuaja. E me të vërtetë që Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë." [Aal-Imran, 31]

Po ashtu, është transmetuar se Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – është lutur duke thënë:

أسألُك حُبَّكَ، وحُبَّ من يُحبَّك، وحُبَّ عملٍ يُقرِّبُنِي إلي حُبِّكَ.

“Unë të kërkoj Ty që të më dhurosh dashurinë Tënde, dashurinë e atij që të do Ty dhe që të më bësh mua ta dua veprën që më afron te dashuria Jote.”