“Ditën kur Allahu do t’ua japë atyre të plotë shpërblimin e merituar dhe ata e dinë që Allahu është i Vërteti, i Qarti." [En-Nur, 25]
Kuptimi i emrit El-Mubiin është: Ai është i Qarti me Teuhidin e Tij dhe Ai nuk ka asnjë ortak.
Kurse, kuptimi i emrit El-Hakk është: Ai tek i Cili nuk ka asnjë dyshim a mëdyshje, as në qenien e Tij, as në emrat dhe cilësitë e Tij dhe as në Uluhijen e Tij. Ai është i Adhuruari me hak, me të drejtë, e nuk ka asnjë të adhuruar tjetër me të drejtë, përveç Atij, ngaqë Allahu i Madhëruar e i Lartësuar është i Vërteti, emrat dhe cilësitë e Tij janë të vërteta, veprat dhe fjalët e Tij janë të vërteta, feja dhe ligji i Tij janë të vërteta, lajmet e Tij janë të gjitha të vërteta, premtimi i Tij është i vërtetë dhe takimi me Të është i vërtetë.
Gjithashtu, Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e hapte namazin e tij të natës duke i pohuar këto kuptime, siç ka ardhur në hadithin që ka transmetuar Ibën ‘Abbasi – radijAllahu ‘anhuma – i cili ka thënë se: Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – kur çohej natën që të falte namaz, thoshte:
“Allahumme lekel-hamdu, Ente Kajjimus-semauati uel-erdi ue men fijhinne, ue lekel-hamdu lekel-mulkus-semauati uel-erdi ue men fijhinne, ue lekel-hamdu Ente Nuurus-semauati uel-erdi ue men fijhinne, ue lekel-hamdu Ente Melikus-semauati uel-erdi, ue lekel-hamdu Entel-Hakku, ue ua’duke el-hakku, ue likauke hak, ue kauluke hak, uel-Xhennetu hak uen-Naaru hak, uen-Nebijjune hak, ue Muhammedun – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – hak, ues-Sa’atu hak. Allahumme leke eslemtu, ue bike amentu, ue ‘alejke teuekkeltu, ue ilejke enebtu, ue bike khaasamtu, ue ilejke haakemtu, fagfirlij ma kaddemtu ue ma akhartu, ue ma esrartu ue me e’alentu, Entel-Mukaddimu ue Entel-Mu`akhiru, la ilahe il-la Ente.”
O Allah, Ty të takojnë lavdet dhe falënderimet, Ti i mban qiejt dhe tokën dhe gjithçka që ndodhet në to!
Ty të takojnë lavdet dhe falënderimet, Ty të takon sundimi i qiejve dhe tokës dhe gjithçka që ndodhet në to!
Ty të takojnë lavdet dhe falënderimet, Ti je Mbreti i qiejve dhe tokës.
Ty të takojnë lavdet dhe falënderimet, Ti je i Vërteti dhe premtimi Yt është i vërtetë, takimi me Ty është i vërtetë, Fjala Jote është e vërtetë, Xheneti është i vërtetë, Xhehenemi është i vërtetë, Profetët janë të vërtetë, Muhamedi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – është i vërtetë dhe Dita e Kijametit është e vërtetë.
O Allah, Ty të jam nënshtruar, Ty të kam besuar, te Ti jam mbështetur, te Ti jam kthyer, për Ty armiqësoj e me Ty gjykoj. Andaj, më fal mua gjynahet që kam bërë dhe ato që s’i kam bërë akoma, ato që i bëj fshehurazi dhe ato që i bëj haptazi!
Ti je Ai që i sjell dhe i vonon gjërat me urtësinë Tënde, s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë, përpos Teje!
Allahu – i Madhëruari dhe i Lartësuari – i ka bërë të larmishme në Librin e Tij provat, argumentet, faktet dhe sqarimet, që Ai është i Adhuruari i Vërtetë e i Paortakë, se dedikimi i adhurimit dikujt tjetër, pos Atij është gjë e kotë, lajthitje, devijim dhe degjenerim:
“Kjo sepse Allahu është i Vërteti, kurse çfarëdo që i luten në vend të Tij, ajo është e kota. E me të vërtetë që Allahu është i Larti, i Madhi." [El-Haxh, 62]