el-mexhiid
المَجِيدُ
i madhërishmi, ai që meriton çdo madhërim dhe lavdërim
Ky është një emër madhështor, i cili është përmendur në dy vende në Librin e Allahut, te Fjala e Allahut të Lartësuar:

">﴿رَحۡمَتُ ٱللَّهِ وَبَرَكَٰتُهُۥ عَلَيۡكُمۡ أَهۡلَ ٱلۡبَيۡتِۚ إِنَّهُۥ حَمِيدٞ مَّجِيدٞ٧٣﴾

“...mëshira e Allahut dhe begatia e Tij qoftë mbi ju, o familje e të Dërguarit. Me të vërtetë që, Ai është i Lavdishëm dhe i Madhërishëm." [Hud, 73]

Po ashtu, te Fjala e Allahut të Lartësuar:

﴿وَهُوَ ٱلۡغَفُورُ ٱلۡوَدُودُ١٤ ذُو ٱلۡعَرۡشِ ٱلۡمَجِيدُ١٥﴾

“E Ai është Falësi i madh, i Dashur shumë, Zoti i Arshit të madhërishëm.” [El-Buruxh, 14-15]

Te ky ajet, fjala El-Mexhiid është përmendur në arabisht në rasën emërore. Disa e kanë lexuar fjalën El-Mexhiid në trajtën emërore, si cilësim për Allahun e Plotfuqishëm dhe të Madhërishëm. Kurse, disa të tjerë e kanë lexuar në rasën gjinore, si cilësim për Arshin.

Emri El-Mexhiid është një nga emrat e bukur të Allahut, emër i cili tregon një numër cilësish e nuk përmban një domethënie të vetme.

Kuptimi i këtij emri është: Ai që posedon cilësitë me domethëniet më të gjera e madhështore, Ai që posedon veçori të shumta dhe fisnike. Pra, emri El-Mexhiid i referohet madhështisë së cilësive të Tij, numrit të tyre të madh dhe kuptimeve të gjera që mbartin ato; i referohet madhështisë së mbretërisë dhe pushtetit të Tij; i referohet veçimit të Tij me përsosmërinë absolute, me madhërinë absolute dhe me bukurinë absolute, të cilat nuk mund t’i perceptojnë dot robërit.

Allahu i Plotfuqishëm dhe i Madhërishëm e madhëron Veten e Tij në Librin e Tij, në disa ajete të ndryshme, madje krejt Kur`ani Fisnik është Libër që madhëron dhe lavdëron Allahun e Plotfuqishëm e të Madhërishëm. Nuk ka ajet në Kur`an që të mos përmendet në të diçka që lidhet me emrat e bukur të Allahut, me cilësitë e Tij të larta dhe me veprat e Tij të urta. Më i madhi nga të gjitha ajetet e Kur`anit është ajeti që i përmban të gjitha këto. Pra, ajeti El-Kursij, i cili është ajeti më madhështor i Kur`anit Fisnik, përmban pesë emra nga emrat e bukur të Allahut, përmban më shumë se njëzetë cilësi nga cilësitë e Allahut. Kurse, sureja El-Ikhlas, e cila është e barabartë me një të tretën e Kur`anit, i dedikohet sqarimit të emrave të bukur të Allahut dhe cilësive të Tij madhështore. Po ashtu, edhe sureja El-Fatiha, e cila është sureja më madhështore në Kur`anin Finsik, gjysma e saj përmban lavdërim dhe madhërim për Allahun.

Ka transmetuar Muslimi në Sahihun e Tij, nga hadithi i Ebu Hurejras – radijAllahu ‘anhu – i cili e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – të thotë:

قال الله تعالى: قَسَمْتُ الصَّلاةَ بَيْنِي وَبَيْنَ عَبْدِي نِصْفَيْن، وَلِعَبْدِي ما سَأَلَ. فإذا قال العَبْدُ: الحمدُ للهِ رَبِّ الْعَالَمِيْنَ، قال الله تعالى: حَمَّدَني عبدي! وإذا قال: الرَّحْمَنُ الرَّحِيم، قال الله تعالى: أَثْنَى عَلَيَّ عَبْدِي! وإذا قال: مَالِكِ يَوْمِ الدِّين، قال: مَجَّدَنِي عَبْدِي

“Allahu i Lartësuar thotë: “E kam ndarë namazin midis Meje dhe robit Tim në dy pjesë dhe robit Tim i takon ajo që kërkon.”

Kur robi thotë “El-Hamdulil-lahi Rabbil-‘Alemiin (Të gjitha lavdërimet i takojnë Zotit të botëve)”, Allahu i Lartësuar thotë: “Robi Im më falënderoi!”

E kur të thotë “Err-Rahmani Err-Rahiim (i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti)” Allahu i Lartësuar thotë: “Robi Im më lavdëroi!”

E kur të thotë: “Maliki jeumi Din (Sunduesi i Ditës së Gjykimit)”, Allahu i Lartësuar thotë: “Robi Im më madhëroi!”

Kur falësi i namazit ulet në teshehud, ai e lavdëron dhe e madhëron Allahun, pastaj e përfundon teshehudin me fjalët e tij ‘Inneke Hamiidun Mexhiid’ (Pa dyshim që Ti je i Lavdishmi, i Madhëruari).

Pra, fillimi i namazit është me lavdërim dhe madhërim, e po ashtu fundi i tij është me lavdërim dhe madhërim. Në fakt, i tërë namazi është lavdërim dhe madhërim për të Lavdishmin dhe të Madhërishmin, të Pastrin nga çdo mangësi, Atë që e meriton lavdërimin dhe madhërimin.